Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, të martën u bëri thirrje investitorëve dhe të gjithë të tjerëve, që të jenë të durueshëm përpara negociatave kryesore tregtare SHBA-Kinë, të planifikuara për muajin e ardhshëm.

“Nëse dëshirojmë të marrim një rezultat të shkëlqyeshëm, duhet të lejojmë që procesi të marrë rrugën e tij”, tha Navarro në një intervistë për CNBC.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tash e dy vjet po kërkon arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën.

Ai ka vendosur tarifa të ashpra për importet kineze, duke bërë që Kina të hakmerret me tarifa ndaj SHBA-së.

Mbrojtja e pronësisë intelektuale, transferimi i detyruar i teknologjisë amerikane në firmat kineze, hyrja e ndërmarrjeve amerikane në tregjet e Kinës dhe subvencionet industriale, janë çështjet kryesore në bisedimet mes dy superfuqive ekonomike botërore.

Presidenti Trump ka thënë ditë më parë, se Kina duhet të arrijë marrëveshje me Uashingtonin, duke paralajmëruar se do të jetë edhe më i ashpër ndaj Pekinit nëse bisedimet tregtare zvarriten.

Lufta tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës ka lëkundur tregjet e aksioneve dhe ka rritur frikën për një recesion global./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *