Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të mos ekzekutojë tre persona që ishin përfshirë në protestat mbarëkombëtare, teksa organizatat e të drejtave të njeriut kanë shprehur frikën se autoritetet do t’i ekzekutojnë.

 

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, duke cituar deklaratën e lëshuar nga Amnesty International më herët gjatë javës, shprehu shqetësimin se Irani shumë shpejt do të ekzekutojë Majid Kazemi, Saleh Mirhashemi dhe Saeed Yaghoubi, të cilët u arrestuan nëntorin e kaluar për shkak të protestave në qytetin iranian të Isfahanit.

 

“Ne i bashkohemi popullit të Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar në thirrjet ndaj Iranit që të mos kryejë këto ekzekutime”, tha Patel për gazetarët.

 

“Ekzekutimet e këtyre personave, pasi gjykimet ndaj tyre janë cilësuar si të rreme, do të ishin një ofendim për të drejtat e njeriut dhe dinjitetit bazik në Iran dhe gjetkë. Kjo situatë e bën të qartë se regjimi iranian nuk ka mësuar asgjë nga protestat që nisën nga një vdekje tjetër, vdekja e Mahsa Aminit”, shtoi ai.

 

Irani është përballur me protesta që nga shtatori i vitit 2022, kur Amini, 22 vjeçe, vdiq teksa po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

 

Irani ka rritur numrin e ekzekutimeve, përfshirë edhe ekzekutimin e katër protestuesve vitin e kaluar, duke nxitur dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

 

Rasti i Kazemit ka nxitur shqetësim në Australi, ku jeton një pjesë e familjes së tij, me kushëririn e tij që ka thënë se ai ishte përfshirë “në protesta paqësore” përmes së cilave kërkohej ndryshimi në Iran./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *