SHBA: Gati për bisedime me Iranin

Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin bisedimet pa kushte me Iranin për uljen e tensioneve mes dy vendeve. Sekretari amerikan i Shtetit njoftoi zbutjen e retorikës dhe gatishmërinë e Uashingtonit për negociata, gjatë një konference për shtyp me përkrah ministrit të jashtëm zviceran Ignazio Cassis.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë me Iranin pa kushte. Ne jemi të gatshëm të ulemi në negociata me ta. Përpjekja amerikane për të ndryshuar rrënjësisht veprimtarinë e Republikës Islame do të vazhdojnë. Kjo forcë revolucionare, do të vazhdojë”
Por Irani ka reaguar duke thënë se nuk pranojnë negociata me Shtëpinë e Bardhë dhe se Republika Islamike nuk i kushton vëmendje përpjekjeve amerikane. Ndërkohë presidenti Hassan Rouhani, e përshkroi ofertën e SHBA-ve për bisedime, si një shenjë e forcës së Iranit.
” Ne kemi treguar se nuk i nënshtrohemi ngacmimeve dhe fuqive lakmuese. Armiqtë vazhdimisht thonë se kanë kushte për negociata me Iranin … por në javët e fundit ata thonë se nuk kanë kushte. Ata na kërcënuan si të ishin një superfuqi ushtarake, por tani ata thonë se nuk kërkojnë luftë”
Rouhani tha gjithashtu se ishte në dorën e Shteteve të Bashkuara të kthehen në tryezën e negociatave dhe të rifillojnë rinegocimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila shërbeu për të frenuar programin bërthamor të Teheranit.




