I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Stephen Biegun, i bëri thirrje Koresë së Veriut që të ulet në tryezë, për të diskutuar rreth çarmatimit bërthamor.

 

Komentet e tij nga Seuli vijnë pak ditë pasi Koreja e Veriut kreu teste të reja raketore.

 

Koreja e Veriut e ka kushtëzuar çarmatosjen bërthamore me lehtësimin e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.

 

Ajo ka thënë se i jep kohë SHBA-së deri për Krishtlindje.

 

Biegun, përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Korenë e Veriut, tha se deklaratat e tilla të Phenjanit janë “armiqësore, negative dhe të panevojshme” dhe shtoi se SHBA-ja “ka një synim, jo një afat”.

 

“Është koha ta bëjmë punën tonë. Le ta kryejmë. Ne jemi këtu dhe ju e dini se si mund të na kontaktoni”, tha Biegun.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk do t’i heqë sanksionet derisa Koreja e Veriut nuk e braktis plotësisht programin e saj bërthamor.

 

Koreja e Veriut ka thënë se nëse SHBA-ja nuk bën një ofertë të pranueshme, ajo do të gjejë “mënyrë të re”.

 

Trump dhe homologu i tij verikorean, Kim Jong-un, u takuan në Singapor në qershor të vitit 2018 dhe në Vietnam në fillim të këtij viti, për të biseduar rreth çarmatosjes bërthamore të Gadishullit Korean. Ata po ashtu u takuan në Zonën e Demilitarizuar, që ndan Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, në qershor.

 

Por, që atëherë, bisedimet kanë ngecur dhe Koreja e Veriut ka rifilluar testimin e raketave të saj balistike me rreze të shkurtër./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *