Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përcjellë një urim me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që këtë vit shënon 249-vjetorin e saj.
Në një konferencë për mediat, Berisha uroi popullin amerikan dhe Presidentin e vendit, Donald Trump.
Berisha: Së pari, do ta filloj me një urim të përzemërt për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e kombeve tjera në tërësi, dhe lirinë e kombit shqiptar në veçanti. Pra, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një urim për qytetarët, qeverinë dhe presidentin Donald Trump, të këtij vendi.
SHBA-të kremtojnë këtë përvjetor pas një fitoreje epike, të jashtëzakonshme, mbi regjimin obskurantist të Ajetollahëve. Fitore me të cilën flamuri i këtij vendi u ngrit përsëri, pas rënies në gjysmështizë në Kabul. Dhe, kjo kishte një vlerë shumë të madhe. Ishte një këputje e nyjës gordiane.
Ata të cilët nuk kanë kuptuar përmasat e kësaj fitoreje, nuk janë në nivelin e duhur politik, për të mos thënë që kanë ndienja pro-obskurantizmit. Një armë bërthamore në duart e Ajetollahëve do të ishte një rrezik madhor për të gjithë Lindjen e Mesme, dhe për të gjitha vendet e tjera./vizionplus.tv