Raketat e sistemit “Javelin”, pjesë e teknologjisë të sistemeve antitank të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë pajisje më të fundit që i janë dorëzuar forcave tokësore në Zall Herr. Në këtë ceremoni, Ministri në largim i Mbrojtjes Pirro Vengu vlerësoi parnteriteti me SHBA-të.
“Shqipëria nuk armatoset dhe nuk forcon kapacitetet e saj për të sulmuar askënd, por armatoset në mënyre që askush të mos e vërë në provë, sigurisht brenda suazës. Është një bindje e krijuar në gjithë këtë periudhë që kam pasur privilegjin të udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes, sepse mbrojtja nuk është luks, ështe shtyllë e shtetit dhe një kusht ekzistence për një shtet serioz që dëshiron të jetë një hallkë e fortë në të gjitha proceset që na presin dhe veçanërisht përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe shtetet serioze padyshim investojnë në momentin e duhur dhe jo kur është vonë”, tha Vengu.
E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, theksoi rëndësinë e rritjes së angazhimit për sigurinë.
“Rritja e angazhimit tuaj për sigurinë është një pagesë paraprake për paqen përmes forcës. Kjo paradhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por edhe një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak”, tha VanHorn.
“Javelin” është një sistem raketor kundërtank i gjeneratës së fundit, i prodhuar nga SHBA. Sistemi është shumë efektiv kundër mjeteve të blinduara dhe përdoret gjerësisht nga ushtritë e NATO si dhe në operacione reale luftarake./vizionplus.tv





