Subscribe

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur sot publikisht Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane David Wisner i ka dërguar një letër drejtuesve të strukturës së posaçme, ku vlerëson raportin e prezantuar nga Altin Dumani në këshillin e lartë të prokurorisë për punën e SPAK-ut dhe thekson se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht krenare për partneritetin me SPAK.

Të njëjtën mbështetje për institucionet e ngritura pas reformës në drejtësi përcolli edhe ambasadori i BE Gonzato gjatë Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku drejtuesi i SPAK Altin Dumani paraqiti arritjet dhe sfidat e këtij institucioni në raport me detyrimet që ka vendosur Brukseli.

“Mund t ju siguroj që mbështetja jonë do të vijojë dhe së bashku ne do ta bëjmë realitet dëshirën e qytetarëve shqiptarë që sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit të jetë ë fortë dhe në të ecim para me anëtarësimin në BE”, tha Silvio Gonzato.

Nga ana e tij drejtuesi i prokurorisë së posaçme Altin Dumani sqaroi punën e SPAK në raport me prokuroret dhe gjyqtarët që janë rrëzuar gjatë procesit të vetingut. Në Këshillin Kombëtar të Integrimit Dumani vuri në dukje se në kompetencën e SPAK janë vetëm anëtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe prokurori i përgjithshëm.

“Kemi edhe vendime fajësie të formës së prerë për këtë kategori subjektesh. Kemi dhe hetime pasurore për ato subjekte ku kemi arritur edhe në konfiskimin e pasurive dhe në dy raste të tjera janë në proces konfiskimi edhe pasuri të subjekteve që i kemi hetuar”, tha Dumani.

Krahas raportimit në këshill të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kanë kërkuar rregullimin e ligjeve të reformës dhe prej muajsh kanë sjellë në parlament propozimet e tyre për ndryshimin e këtyre ligjeve. Draftet paraprake aktualisht janë në duart e ekspertëve të BE dhe SHBA e mbetet për tu parë nëse opozita e mazhoranca do ta gjejnë apo jo konsensusin për reformën në drejtësi./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *