Shtëpia e Bardhë  vlerëson se vetëm që nga dhjetori, Rusia ka humbur 20 mijë ushtarë, ndërsa 80 mijë të tjerë janë plagosur.

 

 

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se vlerësimi i Shteteve të Bashkuara bazohet në të dhënat e sapo publikuara të shërbimeve amerikane të zbulimit. Ai nuk dha detaje se si agjencitë amerikane të zbulimit arritën në këtë përfundim.

 

 

Shefi i shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Mark Milley, tha në nëntor se Rusia kishte pësuar mbi 100 mijë të vrarë ose të plagosur në tetë muajt e parë të luftës. Shifrat e reja sugjerojnë se humbjet ruse janë rritur në mënyrë dramatike në muajt e fundit.

 

 

Trupat nga grupi mercenar rus Wagner dhe forcat e tjera ruse po luftojnë kundër trupave ukrainase shtëpi më shtëpi për kontrollin e asaj që është bërë e njohur si “rruga e jetës”, rruga e fundit e mbetur në perëndim ende në duart e Ukrainës, gjë që e bën atë kritike për furnizimet dhe mbërritjen e trupave të reja ruse në zonat lindore të Ukrainës. Të dyja palët kanë përmendur fitoret e tyre në ditët e fundit.

 

 

Zoti Kirby tha se gati gjysma e të vrarëve që nga dhjetori kanë qenë anëtarë të grupit Wagner, shumë prej tyre të dënuar që u liruan nga burgu për t’iu bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë. Ai tha se forcat e grupit Wagner “u dërguan në luftime pa trajnim të mjaftueshëm, pa udhëheqje luftarake ose logjikë komandimi dhe kontrolli organizativ”.

 

 

Zoti Kirby nuk pranoi të fliste lidhur me numrin e të vrarëve në mesin e forcave ukrainase. Gjenerali Milley tha në nëntor se rreth 100 mijë ukrainas ishin vrarë në luftimet me forcat ruse në tetë muajt e parë të luftës./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *