Subscribe

Tirana është qyteti që prodhon mijëra ton plehra e mbeturina çdo ditë,  problem i cili pritet të marrë zgjidhje me vënien plotësisht në punë të Landfillit të sharrës. Pas prezantimit të projektit per ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve para asgjësimit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për ndërtimin e impiantit të dytë për diferencimin e plehrave.

“Që të arrijmë këto dy misione, pra që të kemi një qytet të pastër, por edhe një landfill e menaxhim modern të mbetjeve, na duhet pak bashkëpunim. Duke nisur nga kjo verë, nuk do të lejojmë që çdo vendgrumbullimi mbetjesh apo çdo kontejner mbeturinash të kthehet në pikë riciklimi. Ajo që na ndodh shpesh është që, pasi është pastruar qyteti, pasi janë zbrazur koshat, ato derdhen sërish në rrugë duke shkaktuar infeksione, e ndonjëherë edhe digjen duke sjellë rrezik për qytetarët. Jam i vendosur që Tirana të jetë e pastër dhe jam i vendosur, po ashtu, që Tirana të fusë metoda moderne të riciklimit, ku sa më pak mbetje shkojnë në landfill, duke u siguruar që të diferencojmë plastikën, metalet, letrën e çdo gjë tjetër që mund të riciklohet, për t’i zgjatur jetën edhe landfillit të Sharrës”.

Kryebashkiaku paralajmëroi se do të ketë masa ligjore ndaj çdokujt që grumbullon mall që merret nga koshat e mbeturinave, pasi ato janë pronë e bashkisë.

“U bëj thirrje atyre që grumbullojnë mallin që merret nga koshat e mbeturinave të Tiranës, se do të ketë penalizime sipas ligjit. Do të përdorim çdo mjet të ligjit për të ndaluar këtë shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Ata nuk i ndihmojnë ata që rrëmojnë nëpër plehra, përkundrazi po i shfrytëzojnë në kushte skandaloze, pa sigurime shoqërore. Kjo nuk është një ofertë punësimi, kjo është një ofertë shfrytëzimi dhe skllavërie. Ofertë punësimi është kjo e Bashkisë së Tiranës, ku vihet dhe punohet me uniformë, sipas të gjitha standardeve”, deklaroi kryebashkiaku. Ai theksoi se ky impiant i dytë, ashtu si edhe i pari, krijon mundësi reale për të punësuar të gjithë ata persona që sot si mundësi jetese kanë gjetur mbledhjen e mbeturinave nëpër kazanët e mbetjeve nëpër qytet. Sipas tij, këto impiante krijojnë vende pune, së pari për komunitetin rom, si dhe evitojnë që çdo kazan plehrash të kthehet në një vatër infeksioni”.

Me krijimin e impiantit të parë për diferencimin e mbetjeve në Sharrë, u arrit të punësoheshin nga Bashkia mbi 200 veta, kryesisht të komunitetit rom. Ndërsa në projektin e dytë hapet mundësia e punësimit për shume më tepër persona.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *