Kryetari në detyrë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Takimi është kryer për t’i parashtruar kërkesën Hotin që në takimin që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi të jetë pjesë e diskutimeve edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Lajmin e dha vetë Kamberi gjatë një lidhje me “Skype” që pati për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus.

“Unë sapo u ktheva nga një takim me kryeministrin Hoti në Prishtinë nga i cili kërkuam që në tryezën e bisedimeve në Uashington të jetë edhe çështja e Luginës së Preshevës dhe të drejtat tona sepse nuk besojmë se mund të ketë një marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjatë mes Serbisë dhe Kosovës nëse nuk rregullohet në këtë moment edhe pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Prandaj i bëmë thirrje kryeministrit që të nisë iniciativën që autoritetet e Kosovës, në bisedimet e ardhshme ta paraqesin kërkesën e shqiptarëve që pozita e tyre të jetë temë e bisedimeve.”

Shaip Kamberi komentoi edhe zgjedhjet në Serbi, ku partitë shqiptare kanë unifikuar qëndrimin e tyre për të dalë me një listë të përbashkët. Kreu i Partisë për Veprim Demokratik tha se pritshmëritë janë që nga këto zgjedhje lista Lugines e Bashkuar të fitojë tre mandate.

“Unë vij nga Partia për Veprim Demokratik që ka një traditë të gjatë parlamentarizmi. Me bashkimin e më shumë partive, tendenca është për të fituar 3 mandate. Por duke pasur parasysh faktin se jo të gjitha partitë kan dhënë kontribut në fushatë për të bërë thirrje tek elektorati i vet që të kemi sa më shumë vota, por realisht unë shpresoj që ne mund të arrijmë dy mandate, duke synuar mandatin e tretë.”

Kamberi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i komunës Bujanoc, duke qenë se kryeson listën e përbashkët të partive shqiptare për zgjedhjet në Parlamentin serb. Ai është i pari në listë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *