Shahini: Shkollat do hapen vetëm për maturantët

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka njoftuar se maturantët do t’i rikthehen procesit mësimor.
Gjatë një deklarate për shtyp, Shahini tha se shkollat për nxënësit e klasave të 12-ta do të hapen nga 18 maji deri në 5 qershor.
“Kemi vendosur që të hapen shkollat vetëm për nxënësit e klasave 12, shkollat do të hapen nga 18 maji deri në 5 qershor. Do të ketë vetëm leksione për lëndët e maturës. Mësimin nga shtëpia do ta mbyllim 2 javë më herët, që mësuesit të kenë mundësi të përmbushin veprimet e tyre adminsitratieve, hedhjen e notave dhe plotësimin e regjistrave. Vendosëm të hapim shkollat vetëm për maturantët. Me distancë 1.5 metra mes tyre dhe që numri të mos jetë më shumë se 10-12, maksimumi 15″.
Ministrja theksoi se hapja e pjesshme e shkollave do të behet duke zbatuar rregullat rigoroze të distancimit social. Mes të tjerash, ajo lajmëroi se mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e 1 deri në të 11, deri në fund të muajit majit.




