Subscribe

Përpos kundërshtive të disa studentëve për të zhvilluar mësimin në distancë, procesi ka nisur normalisht për disa të tjerë pavarësisht pakënaqësive. Frenki Çipi është studente  e farmacisë që u prezantua për herë të parë me universitetin, por virutalisht.


FRENKI ÇIPI

STUDENTE

“Studioj në degën e farmacisë, kemi filluar këto dy ditë me leksionet e biologjisë dhe kimisë dhe nuk më janë dukur kaq të vështira, më shume mendoj se rëndon pjesa e psikologjisë dhe jo pjesa e të kuptuarit lëndën, megjithëse pjesa që të pyesësh pedagogun në klasë është ndryshe nga të pyeturit në një klasë virtuale. si fillim ne bëmë një mbledhje online ku na thanë si do procedohet. Jemi futur në google meet, kemi komunikuar me pedagogen. Është bërë një prezantim, pastaj kemi proceduar me leksionin.”

 

Frenki mbështet kthimin në auditor si mënyrën më të mirë për zhvilluar procesin mësimor duke respektuar masat e protokollit të sigurisë.

 

“Nuk ishte mënyra më e mirë për ta filluar sepse është bërë pak monotoni, pak a shumë kemi që në mars që jemi online dhe jo vetëm online por jemi vetëm në shtëpi, nuk kemi dalë shumë, nuk jemi socializuar, që është pjesa më e vështirë e mësimit online. Do doja shumë që të ishim në auditore dhe më duket shumë e padrejtë që vetëm universitetet janë mbyllur ndërkohë që vendet e tjera që kanë shumë kontakte me njerëzit janë të hapura.”

 

Nga ana tjetër zhvillimi i mësimit nëpërmjet një platforme virtuale nuk është i lehtë as për vetë pedagogët.

 

ELSA SKENDERI RAKIPLLARI

PEDAGOGE

“Patjetër që vështirësitë ekzistojnë, duke filluar që nga lehtësia apo vështirësitë kur përdorim platformën. Qasja në pajisjet e nevojshme, internet, për studentët, jo të gjithë kane internet në shtëpi. Për çdo pedagog është më mirë të ketë kontaktin e drejtpërdrejtë me ta, por për sa kohë kjo vë në rrezik shëndetin e studentëve, stafit, atëherë çështja është e diskutueshme. Mezi presim ditën të kthehemi në auditore por situata na dikton të sillemi në këtë mënyrë për sa kohë jemi nën këto kushte. Nëse kemi garancitë për të mos rrezikuar jetën e shëndetin e studentëve.”

 

Sipas vendimit të komitetit të ekspertëve, universitetet e vendit do ta bëjnë mësimin online për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *