Ekipi kombëtar i Shqipërisë U21 ka arritur mbrëmjen e kësaj të enjtje në Shkodër dhe menjëherë ka zhvilluar sencën e parë stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”.  Aty ku nesër në darkë do të sfidojë ekipin U21 të Anglisë.

 

Trajneri i ekipit Shqiptarë të shpresave Alban Bushi në konferencën për shtyp kërkoi nga lojtarët që të japin 150% të forcave në këtë sfidë pasi Anglia është një ekip me shumë kualitete.

 

“Anglia është një ekip i fortë. Ne e kemi parë. Të gjitha ndeshjet që ka luajtur i ka fituar. E dimë forcën e atyre dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë ne. Duhet të shmangim çdo dyluftim sepse fizikisht ata janë më të fortë. Janë të shpejt dhe i kemi marrë të gjitha masat për ta përballuar ashtu siç duhet. Kam shumë besim tek ekipi që nesër do të bëjmë maksimumin, sepse një ekip si Anglia përballohet vetëm nëse jep 150% nga vetja jote.”

 

Por pavarësisht vështirësisë, Bushi u shpreh optimist se ekipi shpresave mund të arrijë të marrë një rezultat pozitiv në këtë sfidë nëse sakrifikon aq sa duhet.

 

“Kemi luajtur vetëm 1 herë në “Loro Boriçi”, ndaj Maltës, kemi fituar 3-2. Ishalla është një ogur i mirë. Është një ndeshje që do shumë durim. Është një ndeshje që duhet pritur. Kemi një ekip që e kontrollon topin gjatë gjithë lojës, nuk të lë hapësira që të ndërtosh aksione dhe për këtë jemi përgatitur. Duhet durim dhe sakrificë. Duhet të luftojmë për njëri-tjetrin dukë dhënë maksimumin. Anglia ka objektiv fitimin e Kampionatit Europian. Kanë një ekip të rinj në moshë dhe me vlera. Luajnë me ekipe shumë të mëdha. Jemi të përgatitur për këtë gjë. Do të jetë një Shqipëri shumë e fortë. Rezultatin nuk e kemi ne në dorë. Ne duhet të luftojmë, t’i bëjmë yzmetin dhe të sakrifikojmë për shokun, për veten tonë, për ekipin, për Shqipërinë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *