E martë, 29 Shtator 2026 Film TV deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Sfida e kthimit të emigrantëve, ekspertët: Duhen paketa të posaçme për ata që të vijnë të investojnë

Politika ka kthyer vëmendjen drejt emigrantëve, si mundësi e madhe jo vetëm elektorale, por edhe ekonomike.

Por, sa shanse ka që emigrantët të kthehen në vend, jo vetëm fizikisht, por si investitorë? Ekspertët e ekonomisë janë në një mendje kur thonë se deri më tani nuk ka një program konkret që të nxisë kthimin e tyre.

Reklamë

“Është për tu ardhur keq që ka mbetur në nivel deklaratash politike dhe elektorale. Duhen një sërë udhëzimesh, ligjesh që lidhen me pronat, investimet dhe orientimin e projekteve në sektorët e ekonomisë, që të ofrojnë garancinë e investimit”, tha Adrian Civici, ekspert ekonomie.

“Gjërat në tërësi kanë ecur pak në këtë drejtim, për të ofruar siguri si investitorë, duke nisur që nga pronat, zbatimi i kontratës, modeli fiskal që krijon pasiguri si dhe kushtet ekonomike që ndikojnë në këtë drejtim”, sqaroi eksperti i ekonomisë, Eduard Gjokutaj

Në një vend me afro 1 milion emigrantë, hartimi i një pakete me masa nxitëse është më shumë se i domosdoshëm. Por kthimi i tyre për ekspertët më shumë është sfidë, se sa mundësi.

“Është një sfidë shumë komplekse për tu adresuar. Duhet ti  ngjajë tendencave të vendeve tipike me realitetin shqiptar që kanë patur emigrim të madh. Mendoj se nuk jemi në fazë dëshire, ka nevojë për rregullim të kësaj situatë. Në nivel lokal dhe kombëtar duhet një paketë e veçantë për garantimin e këtyre investimeve”, tha Civici.

“Duke marrë në konsideratë çfarë ka ndodhur në të kaluarën çdo njeri e gjykon vet sipas mundësive që  shikon si të vlefshme për Shqipërinë, pa i hyrë anës politike. Unë e shikojë më shumë si sfidë”, deklaroi Gjokutaj

Të dhënat flasin se të ardhurat zyrtare të diasporës arrijnë në 1 miliard euro në vit. Mundësitë për investim janë të mëdha, por kthimi i tyre nxitet vetëm duke krijuar një paketë, të ngjashme si ajo  e investitorit strategjik i cili ka garanci dhe stimulim në realizimin e investimit.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë