Subscribe

Të përshkruash 3319 km në këmbë për gjashtë muaj. Kjo është sfida e dy të rinjve franceze, të cilët kanë vendosur të shkojnë në Izrael, këtë herë jo me avion, por në këmbë. Arnaud dhe Emanuel nga data 9 nëntor e vitit të kaluar janë nisur nga Parisi për të mbërritur në Izrael. Arnaud thotë se ky udhëtim do t’i shërbejë për të njohur njerëz të rinj.

Arnaud Baratin:

Unë jam nga Franca. Kam mbaruar studimet dhe tani dua të bëj një udhëtim të madh dhe mendoj që destinacioni më i mirë është Jerusalemi, sepse është një qytet i shenjtë dhe është një mënyrë për të njohur njerëz të rinj, për të përshkruar peizazhet më të bukura te vendit tonë. Prandaj e nisëm këtë projekt. Jemi nisur nga Franca me 9  nëntor dhe shpresojmë që të arrijmë në Jerusalem në maj. Mendojmë që kohëzgjatja e udhëtimit të shkojë gjashtë muaj.

Ndërsa shoku i tij i udhëtimit, Emanuel thotë se pas mbarimit të shkollës e kishin më të lehtë të bënin këtë udhëtim, sesa të fillonin një punë apo të krijonin një familje.

Emanuel De Rambures:

Ndërmorëm këtë udhëtim, sepse për të filluar punë dhe për të krijuar një familje është shumë e vështirë. Unë kam mbaruar studimet për biznes vitin që shkoi, ndërkohë që ky ishte momenti i përshtatshëm për ta bërë këtë udhëtim. Gjatë këtij udhëtimi kemi kaluar në shumë shtete, të cilët nuk i njihja më parë, por as nuk e dinim se ku ndodheshin në hartë. Tani jemi në Shqipëri dhe kemi eksploruar çdo qytet dhe jemi të surprizuar nga mikpritja e njerëzve këtu. Në çdo vend ku kemi shkuar na kanë ofruar vend për të fjetur, edhe pse jemi gjashtë miq. Një mënyrë e mirë për të eksploruar këtë udhëtim është rruga shpirtërore. Ne jemi katolik dhe lutemi çdo ditë, ndaj në këtë udhëtim takojmë njerëz, eksplorojmë vende, peizazhe, si dhe objektet e kultit si kisha, manastire etj.

Itinerari i të rinjve francez ishte nga Mali i Zi në Shkodër, nga Shkodra në Burrel, ku qëndruan një natë tek Kisha Ungjillore, ndërsa më pas ata morën rrugën drejt Qafë-Shtamës për të kaluar në Krujë e më pas në Tiranë. Siç duket edhe nga harta me të cilën orientohen, ata do të kalojnë nga Shqipëria në Greqi e më pas në Turqi, Qipro e në fund nëpërmjet detit në Izrael. Nismës së dy të rinjve i janë bashkuar edhe katër të tjerë, të cilët do t’i shoqërojnë në territorin shqiptar, ndërsa udhëtimin do ta përfundojnë në Izrael, vetëm Arnaud dhe Emanuel.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *