Rikthehen sonte në mbrëmje sfidat e tjera të “Serie A”, ku spikasin përballjet Milan-Cagliari dhe Roma –Salernitana.

Të besuarit e Piolit do të presin në “San Siro” sardët e Leonardo Semplicit. Milani vjen në këtë përballje me moralin lart pas fitores së parë në trasfertë ndaj Sampdorias, ndërsa Cagliari do të tentojë të bëjë suprizën për të shijuar fitoren e parë në këtë kampionat.

Milani nuk ka pësuar gol ndaj Cagliari-t në 5 përballjet e fundit dhe do të tentojë ta thellojë këtë rekord. Trajneri kuqezi, Pioli u shpreh në konferencën për shtyp se Cagliari është një ekip i fortë dhe se skuadra duhet të tregohet e kujdesshme.

“Kemi punuar shumë gjatë javës, donim ta nisnim mbarë kampionatin dhe ia dolëm me një fitore të vuajtur, por të merituar, në Genova. Në “San Siro” do kemi përballë një skuadër të vështirë, por e dimë potencialin tonë.”

Përsa i përket cilësisë së ekipit, Pioli nuk ngurroi t’u thurte lavde djemve të tij në këtë prag sfidë.

“Jemi rritur, jemi më të vetëdijshëm për forcën tonë. Rëndësi ka që skuadra t’i ketë idetë e qarta në fushë dhe t’i zbatojë ato me vazhdimësi dhe cilësi. Duhet të përjetojmë gjithçka me emocion, që t’ua transmetojmë edhe tifozëve. Është e vërtetë që para një viti mund të ishim surpriza, ndërsa tani na njohin të gjithë, por kemi ende hapësira përmirësimi. Duhet të jemi më të saktë në sulm, më të rrezikshëm.”

Milani pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion që luajti në Genoa përballë Sampdorias ku arriti të sjellë në shtëpi 3 pikët.

Ndërkohë një tjetër sfidë që spikat sonte është ajo midis të sapongjiturve në “Serie A”, Salernitanës dhe Romës së Jose Mourinhos. Trajneri portugez duket se ka krijuar një frymë tjetër pas fitores 3 me 1 ndaj Fiorentinës në ndeshjen e parë të kampionatit, e Roma duket se nuk do ta ketë të vështirë as këtë ndeshje.

 “Nuk ka rëndësi nëse është një skuadër e promovuar rishtazi apo Interi, ne gjithmonë do të përpiqemi të shkojmë për fitore. Ata janë të mirë, mbrohen mirë dhe lënë shumë lojtarë prapa. Ata dinë të bëjnë punën e tyre në mesfushë. Do të jetë e vështirë, por ne do të duhet të gjejmë zgjidhje.”

Tekniku portugez e mbylli fjalën e tij me një koment për merkaton ku theksoi se ai është i lumtur me afrimet në klub dhe se tani duhet të rriten në cilësi dhe lojë.

Të dyja sfidat do të trasmetohen në platformen “Tring” duke filluar nga ora 20:45.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *