Në një intervistë për median NTV ministrii Jashtëm rus Sergei Lavrov ka bërë të qartë se Moska do të jetë e gatshme të ofrojë një përgjigje gjithëpërfshirëse ushtarake kundrejt Evropës nëse është e nevojshme.
“Nëse Evropa papritur zbaton kërcënimet e saj për t’u përgatitur për luftë kundër nesh dhe nis një sulm ndaj Federatës Ruse, presidenti deklaroi: ky nuk është një operacion ushtarak special nga ana jonë. Do të jetë një përgjigje gjithëpërfshirëse ushtarake me të gjitha mjetet e disponueshme, në përputhje me dokumentet përkatëse doktrinare”, tha Lavrov.
Më parë, kryediplomati rus vuri në dukje gjithashtu se Moska do ta konsideronte vendosjen e trupave dhe objekteve ushtarake perëndimore në territorin ukrainas si ndërhyrje të huaj.
Sipas tij,veprime të tilla do të karakterizoheshin si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e vendit.
Ndërkohë sulmet ruse me dronë gjatë natës vranë të paktën 4 persona, përfshirë një nënë dhe djalin e saj 10-vjeçar në lindje dhe jug të Ukrainës.
Po ashtu disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Goditjet e një ditë më parë përfshinë bomba të rënda, thanë zyrtarët, armë që Rusia i ka përdorur për të shkatërruar si pozicionet ukrainase në vijën e frontit, ashtu edhe zonat e banuara.





