Nga Esido Barkaj
Serbia i ka pezulluar vetes mundësinë për marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe, ndaj duhet të heqë dorë nga narrative viktimizuese. Kjo ishte përgjigja që Ministri i Mbrojtes Pirro Vengu i ka kthyer qeverisë serbe, pas kritikave të kësaj të fundit për marrëveshjen ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Më heret presidenti Aleksandër Vuçiç foli ashpër duke e konsideruar këtë marrëveshje një kërcënim dhe provokim për Serbinë.
Në një postim në rrjetin social, Vengu tha Shqipëria asnjëherë nuk ka patur në historinë e saj trakte të fshehta kundër fqinjëve.
“Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe. Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjeve, siç e kanë pasur shtete të tjera”, shkruan ministri Vengu.
Në reagimin e tij, ministri i Mbrojtes shton se kjo marrëveshje ushtarake vjen si një bashkëpunim mes tre shteteve sovrane për shkak të vlerësimit të njëjtë mbi kërcënimet që pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit.
“Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripaleshe. Marrëveshja për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tone”, shtoi ai.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtes ka publikuar deklaratën e përbashkët të tre ministrave të rajonit. Në deklaratë janë identifikuar 4 pika, bashkëpuni për blerjen e kapaciteteve mbrojtëse, investime në teknologjinë e mbrojtjes, kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve hibride si dhe mbështetje të plotë për Kosovën për anëtarësimin e saj në NATO.
/vizionplus.tv





