Qeveria e Kosovës akuzon Serbinë se është larguar nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj tha se Serbia me veprimet e fundit e ka vënë në dyshim ekzistencën e marrëveshjes së Brukselit.

“Serbia është distancuar nga marrëveshja dhe ka dërguar letër në Bashkimin Evropian, ku thotë se marrëveshja nuk është e obligueshme ligjërisht për Serbinë dhe nuk është e pranueshme në tërësinë e saj. E ka sulmuar marrëveshjen në dy pikat e saj qendrore të cilat e pamundësojnë zbatimin e saj. Kjo është problem, në vend që të fokusohemi në zbatimin e saj, Serbia po e konteston ekzistencën e saj”,  tha Zulfaj.

Për dështimin e procesit të dialogut, këshilltari i kryeministrit Kurti bën me faj edhe të dërguarin europian Miroslav Ljacak.

“Marrëveshjen që e kemi arrit është mundësi e humbur që nuk kanë arrit të sjellin Serbinë për të nënshkruar. Mendoj se në këtë drejtim dhe këtë dritë duhet të shihet edhe puna e emisarit. Një marrëveshje të cilën ishte i angazhuar nuk arriti të sjell Serbinë që ta nënshkruaj dhe tash kemi qëndrimin publik dhe zyrtarë të Serbisë kundër kësaj marrëveshje edhe në të shkruar”,  u shpreh ai.

Tensionet mes dy vendeve janë ndezur sërish pas vendimit për përjashtimin  dinarit dhe anëtarësimin e Kosovës në këshillin e Europës.

Me urdhër të Vuçiç, Serbia ka formuar tashmë grupin e punës që ka thënë se do të merret me parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *