Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj qëndrimit të Beogradit zyrtar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të rajonit, duke theksuar se këto reagime i shërbejnë destabilitetit në Ballkan e jo vetëm.

 

Kreu i qeverisë shkruan se gjatë kësaj dekade Ballkani ka arritur stabilitetin e munguar prej të shkuarës historike dhe konfliktuale që e ka shoqëruar ndër vite. Në përgjigje të kërcënimit të Serbisë për destabilitet, Rama shprehet se në të vërtetë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleate të NATO-s dhe të përkushtuara për të ruajtur integritetin rajonal.

 

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, shkruan ai.

 

Më herët, ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *