Në punët e brendshme të Malit të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, “ka ndërhyrë një politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të ‘botës serbe’”, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë.

Në këtë mënyrë, Mesiç komenton tensionet në Mal të Zi që ka shkaktuar shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Malazezët janë thellësisht të ndarë për lidhjet e vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

 

Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë.Konkretisht, bëhet fjalë për ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe, të udhëheqjes së Kishës Ortodokse në Beograd, në çështjet fetare, por edhe në punët shtetërore të Malit të Zi.Në Mal të Zi është treguar se kjo nuk është vetëm ndërhyrje e Kishës, por, përmes Kishës, ndërhyn edhe politika – ajo politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të “botës serbe”. Pra, kjo është vetëm një pjesë e asaj politike.Në Mal të Zi, sikur te të gjithë ne, Kisha është e ndarë nga shteti, por në Mal të Zi është specifike.Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë autoqefale dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kishës, as Kisha në punët e shtetit.

 

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mesiç thotë se, qartazi, “dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.

 

Duket qartë se dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh.Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka.Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani?E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot.

 

Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, ndërsa për Kosovën thotë se është njohur në masë të madhe dhe se të tjerët që nuk e kanë pranuar, “do ta bëjnë këtë”.

 

Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj.Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual.Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës.Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *