Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mesditën e sotme, zhvilloi një analizë pune me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

 

 

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se pavarësisht se informacioni përmes të cilit u godit veprimtaria e organizuar e kultivimit të kanabisit në sera, në territorin e fshatit Rërëz, ishte tërësisht i strukturave të posaçme për hetimin e krimit të organizuar, në Policinë e Shtetit, mosevidentimi i kësaj paligjshmërie të hapur, nga vetë strukturat vendore të Policisë së Beratit, është tërësisht i patolerueshëm dhe i ndëshkueshëm.

 

 

Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka zhvilluar dhe përfunduar një hetim të thelluar, në përfundim të të cilit, bazuar në shkeljet e rënda administrative që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrës, ka vendosur shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Drejtues i Parë Edmond Tarkaj, uljen në gradë për 6 muaj dhe transferimin e tij në Akademinë e Sigurisë.

 

 

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur për emërimin e Drejtuesit të Parë Kastriot Skënderaj, në detyrën e drejtorit të ri të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.

 

 

Në vijim, bazuar në shkeljet administrative dhe në mospërmbushjen e detyrave funksionale, Drejtori i Përgjithshëm ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, për shkelje të rëndë, të 7 punonjësve të Policisë, të nivelit të parë dhe të nivelit të mesëm drejtues, konkretisht:

 

1. Kryekomisar Baki Musaku, me detyrë Shef Sektori për Krimet, në DVP Berat;
2. Kryekomisar Sokol Lazaj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Berat;
3. Komisar Ardit Hasanbegaj, me detyrë Shef i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat;
4. Nënkomisar Artan Musaj, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Dimal;
5. Nënkomisar Miço Rakazija, me detyrë Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal;
6. Inspektor Vladimir Toska, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal;
7. Inspektor Gazmend Sulaj, me detyrë Ndihmësspecialist për Policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.

-Është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore, për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Drejtues Sh. Xh.

-Është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie.

-Është vendosur shtyrja e afatit të gradimit, me 2 vjet, për 2 punonjës të tjerë policie.

 

 

Në fund të analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar nga të gjitha strukturat e Policisë në qarkun Berat, angazhim, përkushtim, profesionalizëm, bashkëpunim me qytetarët, performancë, reagim në kohë dhe zgjidhje të problematikave në bazë të kompetencave që iu jep ligji.

 

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është i vendosur për të ndëshkuar cilindo nga radhët e Policisë që abuzon me detyrën dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje dhe abuzim që mund të kryhet nga punonjësit e Policisë, duke iu garantuar reagim të mënjëhershëm, profesional dhe ligjor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *