Kjo javë shënoi nisjen zyrtare të transaksioneve elektronike nëpërmjet sistemit SEPA, zona unike e pagesave në euro ku përfshihen 41 vende të Bashkimit Europian dhe jo vetëm.

Por pse është i nevojshëm ky sistem për Shqipërinë dhe pse lindi nevoja për tu bërë pjesë e tij? Zv/guvernatorja Natasha Ahmetaj në një intervistë për emisionin E-ZONE në Vizon Plus tregon arsyet.
“Një raport i Bankës Botërore na tregonte se vetëm 4% e të ardhurave të emigrantëve vinin nëpërmjet kanaleve bankare. Një pjesë shumë e vogël vinin nga institucionet e pagesave, që në çdo rast komisionet i kishin më të larta se ato bankare. Kjo do të thotë që pjesa më e madhe e remitancave vinin cash. Ky realitet vjen për disa arsye, shumë emigrantë kanë punuar në informalitet, një pjesë nuk ishin familjarë me bankat. Ndaj ky fenomen duhej adresuar. SEPA është zgjidhja më e mirë”, tha Ahmetaj
Banka e Shqipërisë ka pritshmëri që do të ketë një hov të pagesave elektronike. Komisionet minimaliste që do të aplikohen do të jenë një shtysë më shumë që emigrantët shqiptarë kudo në botë, të afrohen më shumë me sistemin bankar. Por jo vetëm, edhe pensionistët.

“Është një revolucion. Me afrimin e emigrantëve në këto pagesa të shpejta dhe me kosto minimale, edhe pensionistët do të jenë më afër sistemit bankar. Për tërheqjen e parave që do t’i sjellin të afërmit, ata do të mësojnë më shumë rreth përdorimit apo investimit të parave. Ndaj mendojmë se emigrantët dhe pensionistët do të jenë përfitues direkt të këtij sistemi”, tha Ahmetaj.
Por që të kryesh një transaksion elektronik nëpërmjet sistemit SEPA, duhet të keni një llogari bankare dhe numrin IBAN.

/vizionplus.tv





