Udhëheqësit e Komitetit të Tregtisë në Senatin amerikan i bënë thirrje themeluesit të Facebook, Mark Zuckerberg, të dëshmojë lidhur me skandalin e rrjetit social  dhe “Cambridge Analytica”, mbi keqpërdorimin e të dhënave te rreth 50 milionë përdoruesve.

 

Komisioni Europian nga ana tjetër paralajmëron SHBA-të të marrin masa për forcimin e rregullave që ruajnë privatësinë e përdoruesve të platformave sociale.

 

Pas publikimit të skandalit pak ditë më parë, Facebook është përballur me një rënie prej 58 miliardë dollarësh të aksioneve të tij.

 

Themeluesi Mark Zuckerberg pranoi se ka gabuar dhe kërkoi falje, por kjo gjë nuk i ka ndalur investitorët të shesin aksionet e tyre.

 

Aksionet e kompanisë kanë rënë nga 176.8 dollarë që ishin ditën e hënë, në rreth 159.3 dollarë mesnatën e së premtes.

 

Kompani të fuqishme, si dhe reklamuesit Mozilla, të mërkurën pezulluan reklamat në platformën e mediave sociale. Ndërsa një ditë më parë, sipërmarrësi i teknologjisë Elon Musk fshiu nga Facebook faqet zyrtare të kompanisë së tij Tesla dhe SpaceX.

 

Nga ana tjetër, skandali është cilësuar si një “llambë ndriçuese”, pasi shumë njerëz janë ndërgjegjësuar se platforma të tilla teknologjike, nuk janë të besueshme.

 

Madje, në rrjetet sociale është vënë re një trend gjithnjë e në rritje të personave  të cilët kërkojnë fshirjen e facebook, shoqëruar me hashtagun #deletefacebook.

 

Duket se pendesa e Zuckenberg, nuk i ka bindur përdoruesit e Facebook sa duhet, pavarësisht se ai siguroi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përforcuar sigurinë e të dhënave personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *