Bletërritësit në Korçë kohët e fundit po përballen me një sëmundje të rrezikshme që prek kosheret e bletëve, Varroatoza. Sipas bletërritësve, një koshere e pa trajtuar siç duhet, me shumë mundësi brenda dy vitesh është e destinuar të zhduket nga kjo sëmundje.
“Ky parazit luftohet me forma tradicionale, njëra prej të cilave është trajtimi dimëror me acid oksalik dihidrat, ndërsa për atë veror, produkte me bazë timolin“, tha Eugen Skerma, bletërritës.
Por Ergi Mira, student në Universitetin e Greenwich në Londër për degën Inxhinieri Softuerike, thotë se ka një zgjidhje për këtë problem me anë të inteligjencës artificiale.
“Mjafton të vendoset në çdo koshere një sensor monitorimi dhe kamera inteligjente, dhe fermerët marrin të dhëna të shpejta për zhvillimin e kësaj sëmundje, duke u krijuar mundësi luftimi që në fazën fillestare“, tha Ergi Mira, student në Londër.
Për Ergin, i cili që i vogël, së bashku me prindërit është marrë me bletari në fshatin e tij Menkulas të Devollit, investimi për fermat e bletëve do të thotë rendiment më i lartë në prodhimin e mjaltit.
Në qarkun e Korçës ka më shumë se 80 mijë koshera bletësh, të përqendruara më së shumti në Korçë dhe Devoll.





