Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit të Pogradecit ka sekuestruar një vilë me vlerë rreth 200 mijë euro që dyshohet se është përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Hetimi për rastin ka filluar në vitin 2018.

Të dy shtetasit nën hetim Armand Lice, 47 vjeç dhe Bledar Alianj, 46 vjeç, mesohet se i kanë dhënë para me fajde një qytetari nga Pogradeci.

Kur ky i fundit ishte në pamundësi për të shlyer shumën e marrë me fajde, dy personat në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë falsifikuar një kontratë, e cila kalonte pronesinë e shtepisë së borxhliut në emër të tyre.

 

 

Nga dokumentat e falsifikuara, personat kishin arritur që me vendim gjykate të parë dhe apelit, të fitonin pronësinë e banesës dhe para 5 vitesh arritën që t’i nxjerrin me përmbarues familjarët nga banesa.

 

 

Njoftimi i policisë:
Pogradec
Vijon puna për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kanë burim, veprimtari të ndryshme kriminale.
Vendoset sekuestro preventive mbi një pasuri me vlerë rreth 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtaria kriminale e falsifikimit të dokumenteve, e kryer nga 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, si rezultat i punës gjurmuese-hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, si rrjedhojë e veprimtarive kriminale, bënë ekzekutimin e vendimit nr. 269, të datës 18.11.2022, të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, e cila ka vendosur sekuestro preventive ndaj një pasurie në pronësi të shtetasve A. L., 47 vjeç dhe B. A., 46 vjeç, të dy banues në Pogradec.
Këta 2 shtetas janë në hetim, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se nëpërmjet një kontrate të falsifikuar, kanë përfituar banesën e një shtetasi tjetër, në lagjen nr. 3, Pogradec, banesë me sipërfaqe rreth 300 m² dhe me vlerë rreth 200 000 euro.
Vijon puna për gjurmimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga shtetasit A. L. dhe B. A.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *