Zbulohet tuneli me marijuanë, kapet rreth 100 kg drogë në Shkodër, trafikantët në kërkim
Një ambient në lagjen Skënderbeg në Shkodër ishte përdorur si strehë për një grup kriminal që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Madje ky ambient kishte si kamuflim edhe një tunel, ku anëtarët e këtij grupi arrinin që të fshihnin drogën, kryesisht marijuanë.
Policia e Shkodrës ka arritur që në kuadër të operacionit ‘Territor i Pastër’ të godasë bazën e këtij grupi ku në total ka arritur që të sekuestrojë afro 100 kg marijuanë.
“Strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore, strukturat Operacionale dhe ato Shqiponja kanë ndërhyrë në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër në një ambient të përshtatur me tunel për të fshehur lëndën narkotike dhe gjatë kontrollit në tunel kanë gjetur dhe sekuestruar 65.5 kilogramë marijuanë të përpunuar në formë çokollate. Në vijim të operacionit në brendësi të një automjeti tip furgon të parkuar afër të këtij ambienti, u gjetën dhe u sekuestruan 31.5 kilogramë kanabis në formë boçe dhe një sasi municioni luftarak”, tha drejtori i Policisë së Shkodrës.
Gjatë operacionit policia nuk ka mundur që të arrestojë autorët e dyshuar, ndërkohë që janë shpallur në kërkim.
“Në momentin e ndërhyrjes nuk janë konstatuar personat e dyshuar por nga hetimet paraprake është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve si autorë të dyshuar të këtij rasti dhe konkretisht shtetasit N. M., 42 vjeç dhe B. M., 37 vjeç, lindur në fshatin “Ura e Shtrenjtë” dhe banues në Shkodër, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre. Po nga hetimet rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe një grup personash të tjerë dyshohet se janë implikuar në aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së kanabisit në qarkun e Shkodrës”, tha ai.
Gjatë kësaj jave, e cila përkon edhe me nisjen e operacionit ‘Territor i Pastër’ kundër kultivimit të bimëve narkotike, në qarkun e Shkodrës janë zbuluar 11 raste ku janë asgjësuar afro 20 mijë fidanë të kultivuara në Malësi të Madhe, Vaun e Dejës etj. /vizionplus.tv




