Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan kanë intensifikuar kontrollet gjatë 12 orëve të fundit, duke evidentuar dhe goditur dy raste të paligjshmërisë në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë.
Në rastin e parë, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Shkodër nisën procedim penal në gjendje të lirë për një shtetas polak, 49 vjeç, i identifikuar me inicialet W. C. Gjatë kontrollit fizik në hyrje të vendit, atij iu gjetën 38 000 euro të padeklaruara, konkretisht 30 000 euro në trup dhe 8 000 euro në çantën e dorës.
Ndërkohë, në një tjetër rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan dy shtetas nga Tirana, Altin Shehu , 42 vjeç, dhe Elvir Karoshi, 32 vjeç. Gjatë kontrollit në dalje të vendit, në automjetin me të cilin udhëtonin, u zbuluan 8 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 4.2 kilogramë, të fshehura në automjet.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se ajo ishte blerë në Gjermani.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





