Policia ka vënë në pranga 5 persona në Poliçan, pasi u kapën duke kultivuar bimë narkotike.
Uniformat blu bëjnë të ditur se kanë sekuestruar 116 bimë kanabisi, 79 prej tyre në proces tharjeje.
“Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Plashnik, njësia administrative Tërpan, kanë goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Ë. M., 54 vjeç, G. M., 61 vjeç, (vëllezër), F. M., 21 vjeç, (i biri i shtetasit Ë. M)., V. B., 44 vjeç dhe D. B., 39 vjeç, (vëllezër), të gjithë banues në fshatin Plashnik, pasi dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin ku banonin”, njofton policia.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.





