Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka dhënë vendimin për personat e arrestuar nga dy anijet e huaja, të kapura me naftë kontrabandë teksa vinin në portin e Durrësit.
Pas një seance që ka zgjatur disa orë, kapitenët Mohammed Sallit dhe M. Khalila u lanë me masë sigurimi “arrest me burg”, ndërsa pjesëtarët e tjerë të dy ekuipazheve u lanë me masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”.
Në dy ditë radhazi, në portin e Durrësit u ndaluan dy anije që vinin nga Tunizia, pasi në balastrat e tyre (dhoma që mbushen me ujë për balancimin e anijeve) u gjetën më shumë se 1 milion litra naftë që po sillej për t’u shitur në vendin tonë.
Policia e Durrësit zhvilloi dy operacione radhazi, “Ari i Zi” dhe “Ari i Zi 2”, duke ndaluar gjithsej 12 pjesëtarë të dy ekuipazheve, shtetas të huaj, ndërsa shumë të tjerë janë shpallur në kërkim. Dy anijet e kontrabandës janë sekuestruar dhe po mbahen në ruajtje në portin e Porto Romanos, Durrës.





