Në Davos, kancelari Scholz i premtoi Ukrainës “mbështetjen e pakufishme të Gjermanisë” Por nuk e tha se kur do te dërgojë Gjermania tanket luftarake të tipit “Leopard 2”, për të cilat ka nevojë Ukraina tani. Fjalimi i Scholzit në Davos ishte fjalimi i vetëm i një lideri nga vendet e G7-ës.Forumi Botëror Ekonomik i Davosit është një nga forumet kryesore, ku liderë të ndryshëm nga e gjithë bota diskutojnë për krizat aktuale.

Scholz, në fjalën e tij  u perqendrua kryesisht në ekonominë e së ardhmes: “Çfarë ndryshimesh solli një vit” – me këto fjalë kancelari federal Olaf Scholz (SPD) hapi fjalimin e tij dhe i  përshkroi ndryshimet e shkaktuara në ekonominë globale edhe si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Mbështetje për Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme

Kancelari socialdemokrat përsëriti premtimin e tij: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën – për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Ai tha se për të siguruar që lufta e agresionit rus të dështojë, Gjermania po dërgon vazhdimisht dhe në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë “sasi të mëdha armësh”.

Scholz përmendi shprehimisht  sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot” të premtuar nga qeveria federale. Ai e cilësoi ndihmën ushtarake për Ukrainën “një pikë të thellë kthese në politikën e jashtme dhe të sigurisë gjermane”. Rusia tashmë ka dështuar me luftën e saj imperialiste, tha Scholz.

Por kancelari nuk tha asgjë për tanket luftarake të tipit “Leopard 2”, për të cilët qeveria gjermane ndodhet nën presion si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Deri më tani, Scholz është shprehur kundër dërgimit të tyre në Ukrainë, duke argumentuar se Gjermania nuk duhet të veprojë pa u konsultuar me të tjerët.

Scholz nën presion për dërgimin e tankeve Leopard 2

Por ky argument  nuk i bind vëzhguesit. Polonia dhe vendet e tjera të BE-së dhe NATO-s duan të furnizojnë Ukrainën me tanket e tyre “Leopard 2” dhe po kërkojnë me ngulm nga Gjermania, si vend prodhues, që të japë lejen. Britania e Madhe ka njoftuar tashmë se do të dërgojë në Ukrainë tanke të rënda luftarake nga rezervat e veta.

Heshtja e Scholz-it i irriton komentuesit. E vetmja gjë që tha kancelari i pyetur për këtë çështje në Davos ishte, se dërgimi i tankeve do të bëhet në marrëveshje me partnerët, sidomos me ShBA dhe Francën.

Të enjten ndodhet në Berlin ministri amerikan i mbrojtjes, Austin, i cili do të marrë pjesë në takimin e grupit të kontaktit për Ukrainën, që zhvillohet tö premten në bazën amerikane ushtarake në Ramstein të Gjermanisë. Austin takohet më parë ministrin gjerman të porsa zgjedhur të mbrojtjes Boris Pistorius.

Të mërkurën, edhe Parlamenti Evropian, kërkoi nga Kancelari gjerman që të hapë rrugën për dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë.

Kancelari duhet të lancojë pa vonesa të mëtejshme ”një konsorcium shtetesh që mund të vërë në dispozicion tanke të tillë”, kërkohej në një raport  të iniciuar nga  të Gjelbërit, por të mbështetur nga një shumicë e madhe në Strasburg,

Deri në vitin 2045 pa emisione

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kancelari gjerman, Olaf Scholz,  i kushtoi një vend të madh në fjalën e tij ekonomisë së të ardhmes, që sipas tij i takon energjive të ripërtërishme. Scholz foli për terminalin e dytë me gaz të lëngshëm në Gjermani që u përurua të shtunën e kaluar. Ai bëri të ditur gjithashtu synimin e Gjermanisë për t’u bërë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045. Sipas tij, në vitin 2050 Evropa do të bëhet kontinenti i parë pa emisione C02.

Tregti e lirë, por duke ruajtur klimën

Ai tha se do të angazhohet për marrëveshje të tregtisë se lirë me Indinë, me vendet e Amerikës Jugore (Mercosur) dhe Indonezinë. Por theksoi edhe nevojën e një mekanizmi kompensimi për ato vende që nuk bëjnë përpjekje për mbrojtjen e klimës. Scholz, i cili më parë ka qenë ministër i financave në Gjermani,  u shpreh për taksë doganore për ato produkte që vijnë nga vende që nuk kanë shumë rregulla për mbrojtje e klimës.

Kancelari gjerman kritikoi subvencionet amerikane për investime për mbrojtjen e klimës: Ato janë diçka e mirë, por nuk duhet ta vënë industrinë evropiane në disavantazh. “Proteksionizmi parandalon konkurrencën dhe inovacionin dhe dëmton mbrojtjen e klimës,” tha kancelari gjerman.

Scholz u shpreh për subvencione evropiane në teknologjitë kryesore, veçanërisht në sektorët e dixhitalizimit dhe klimës. Scholz shprehimisht kundërshtoi kërkesat për fonde të reja të BE-së për investime. “Fondet janë në dispozicion: vetëm 20 përqind e më shumë se 700 miliardë eurove në fondin evropian të rimëkëmbjes janë përdorur,” kujtoi ai./DW

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *