Sateliti i Iranit dështon të arrijë orbitën e Tokës

Televizioni shtetëror iranian ka raportuar që kanë dështuar përpjekjet e Iranit për të nisur satelitin Zafar të këtij shteti në orbitën e Tokës.
Ahmad Hosseini, zëdhënës i programit hapësinor në Ministrinë iraniane të Mbrojtjes, i ka thënë televizionit shtetëror se sateliti nuk ka arritur në orbitën e tokës siç është planifikuar “sepse nuk ka arritur shpejtësinë e duhur”.
Ky është të paktën sateliti i tretë iranian që dështon të arrijë cakun, prej kur ka nisur Irani këtë program më 2019.
Uashingtoni pretendon se ky program është duke i ndihmuar Teheranit që të avancojë progamin e tij të raketave.
Lansimi i satelitit është bërë nga provinca Semnan e Iranit, rreth 230 kilometra në juglindje të Teheranit.
“Motorët kanë funksionuar si duhet në fillim, mirëpo në fund sateliti nuk ka arritur shpejtësinë e duhur”, ka thënë Hosseini për televizionin shtetëror.
Ai megjithatë ka synuar të portretizojë dështimin si “arritje të madhe” për programin hapësinor të Iranit.
Zyrtarët amerikanë, të cilët po praktikojnë politikën “me presion maksimal” kundër Iranit, prej kur Uashingtoni është larguar më 2018 nga marrëveshja bërthamore, kanë supozuar se programi satelitor i Teheranit është pjesë e programit për zhvillim të raketave balistike.
Irani në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.
Më 8 shkurt, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka bërë thirrje për fuqizim të mbrojtjes së Iranit, duke thënë se “në mënyrë që të parandalohet lufta dhe t’iu jepet fund kërcënimeve, njëra palë duhet të bëhet e fortë”.
Lideri suprem, që ka fjalën e fundit në çështje fetare dhe ato politike është takuar me zyrtarë të lartë të forcës ajrore iraniane më 8 shkurt për të shënuar veprimet ushtarake të shtetit gjatë revolucionit të vitit 1979 për të rrëzuar nga pushteti Shahun e përkrahur nga SHBA-ja.




