E mërkurë, 30 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Rama takohet me kreun e NATO-s, diskutohet investimi në Portin e ri të Durrësit dhe Samiti i 2027 në Tiranë

Nga Haga ku po merr pjesë në Samitin e Aleancës Euroatlantike, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Në një postim në Facebook, kryeministri zbuloi detaje nga takimi për investimet e reja të NATO-s në Shqipëri.

Reklamë

“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani, ai i Mbrojtjes Pirro Vëngu, drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni dhe Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Në këtë Samit  pritet të arrihet një marrëveshje për rritjen e  investimeve në  mbrojtje dhe për të konfirmuar mbështetjen afatgjatë për Ukrainën, ndërsa të pranishëm pritet të jenë rreth  6,000 përfaqësues dhe udhëheqës kryesorë të shteteve anëtare, përfshirë Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.

Fokusi  pritet të jetë kërkesa e kreut të Shtëpisë së Bardhë ndaj Aleancës për  rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në pesë përqind të produktit të brendshëm bruto.

Megjithatë, vëmendja është zhvendosur pjesërisht nga vendimi i Trump për të kryer sulme ajrore në tre vende të pasurimit te uraniumit në Iran.

Në vitin 2027 Shqipëria pritet të jetë vendi organizator i samitit të NATO-s./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë