Në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nisi një samit i madh për klimën, ku udhëheqësit botërorë pritet të japin premtimet e tyre për zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, janë në mesin e rreth 60 liderëve që marrin pjesë.

Duke hapur samitin njëditor, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është koha për të vepruar, për ta bërë karbonin në botë neutral deri në vitin 2050.

“Toka po lëshon një britmë trishtuese: Ndaloni! Nëse nuk i ndryshojmë urgjentisht mënyrat tona të jetës, ne e rrezikojmë vetë jetën”, tha Guterres.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shfaq në samit për të dëgjuar folësit, edhe pse pjesëmarrja e tij nuk ka qenë e planifikuar.

Përpara samitit, i cili zhvillohet para negociatave ndërkombëtare për klimën, vitin e ardhshëm, Kombet e Bashkuara thanë se 66 vende kanë shprehur synimet e tyre për zero emetime deri më 2050.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se shenjat dhe ndikimet e ngrohjes globale po shpejtohen.

Organizata Botërore e Meteorologjisë tha se temperaturat globale janë rritur për 1.1 gradë që nga viti 1850 dhe për 0.2 gradë midis viteve 2011 dhe 2015.

Sipas raportit që kjo organizatë publikoi të hënën, sasia e gazit serë që hyn në atmosferë është rritur për 20% në periudhën 2015-2019 krahasuar me pesë vjetët paraprakë./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *