Në samitin e vendeve të NATO-s në Bruksel, ku për herë të parë ndodhej përkrah të gjithë aleatëve, presidenti amerikan Donald Trump theksoi se vëmendja e aleancës duhet fokusuar tek lufta kundër terrorizmit. Duke folur nga zyrat e reja të NATO-s në Bruksel, Trump përsëriti kërkesën që vendet të paguajnë detyrimin e tyre për mbrojtjen.
“Udhëtimet e mia më dhanë shprese se vendet e shumë besimeve mund të bashkohen për të mposhtur terrorizmin, një kërcënim i përbashkët ndaj gjithë njerëzimit, që duhet ndalur. Kemi mijëra e mijëra njerëz që vijnë në vendet tona dhe ne nuk e dimë kush janë. Duhet të jemi të fortë dhe vigjilentë. NATO e së ardhmes duhet të jetë e fokusuar tek terrorizmi dhe emigracioni, gjithashtu tek kërcënimet nga Rusia dhe tek kufijtë lindorë dhe jugorë. Këto shqetësime të thella janë arsye se përse kam qenë i drejtpërdrejt me Stoltenberg dhe me anëtarët e Aleancës dhe kam thënë se ato duhet të kontribuojnë me detyrimet financiare për mbrojtjen”.
Trump kërkoi edhe mbajtjen e një minute heshtje për viktimat e sulmit barbar të Mançesterit, ndërsa përsëriti thirrjen se ekstremistët duhen dëbuar. Ndërsa kancelarja gjermane Merkel kujtoi se cili është roli i NATO-s.
“Aleanca jonë është bashkim në mbrojtje të lirisë, bashkimi dhe jo ndërtimi i mureve na bën të suksesshëm. Jemi aleancë e ndërtuar në vlera të përbashkëta dhe në tregojmë solidaritet. Gjermania nuk do ta harrojë kontributin e NATO-s për siguri dhe stabilitet”.
Në samitin e vendeve të NATO-s po merr pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Ai ka qëndruar pranë kancelares Merkel, teksa liderët e vendeve aleate kanë vizituar ambientet e reja të NATO-s.
Pas ceremonisë së ngritjes së flamujve dhe një demonstrimi ajror të avionëve, pjesëmarrësit në samit kanë nisur një darkë punë, që do të pasohet nga një konferencë për shtyp e sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg.





