Samiti i Diasporës në Tiranë, Sulejmani: Duhet më shumë vëmendje dhe më pak premtime

Në kuadër të zhvillimeve të fundit në Tiranë, ku po mbahet Samiti i Diasporës, përfaqësues të komuniteteve shqiptare jashtë vendit kanë ndarë vlerësimet dhe shqetësimet e tyre lidhur me rolin dhe trajtimin e diasporës nga institucionet.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, biznesmeni Idriz Sulejmani thekson se, megjithëse iniciativa të tilla janë të rëndësishme, diaspora shqiptare ka nevojë për më shumë vëmendje konkrete dhe mbështetje reale nga shtetet amë.
Ai nënvizon se kontributi i diasporës ndër vite ka qenë i madh, ndërsa pritshmëritë për përfshirje dhe përkrahje mbeten ende të papërmbushura.
Sulejmani shpreh gjithashtu skepticizëm ndaj thirrjeve të vazhdueshme për angazhim ekonomik, duke theksuar hendekun mes premtimeve dhe realitetit.
Intervista e plotë:
Me çfarë përshtypjesh po e përcillni ju këtë samit?
Idriz Sulejmani: Unë besoj se çdo gjë mund të bëhet edhe më mirë e me përshtypje më të forta, sepse ne në diasporë kemi nevojë për pak më tepër vëmendje. Shtetet tona u formuan, si Kosova dhe Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut që u bë shtet me kontributin e shqiptarëve. Ne në diasporë gjithmonë kemi dhënë shumë për shtetet tona dhe tani presim që ato të japin pak më tepër vëmendje për ne që jemi jashtë vendit.
Ndërkohë, qeveria në Tiranë po bën thirrje, ashtu si edhe herët e tjera, që shqiptarët e diasporës të merrni pjesë aktive në zhvillimin ekonomik dhe në përgjithësi për zhvillimin e Shqipërisë. Si e shikoni dhe si e dëgjoni këtë thirrje?
Idriz Sulejmani: Kjo thirrje është shumë e mirë, por nuk e dimë nëse gjërat do të jenë ashtu siç premtohen. Deri tani nuk jemi shumë të kënaqur nga kjo çështje, për shkak se premtime ka shumë, por realiteti është ndryshe.
Zoti Sulejmani, ndërkohë kritikat që i bëhen qeverisë, kryesisht nga opozita por edhe nga njerëz të tjerë të sferës publike, thonë se në këtë samit qeveria ka ftuar vetëm njerëz të përzgjedhur prej saj, të parapëlqyerit për arsye politike. A e keni vënë re apo e mendoni diçka të tillë?
Idriz Sulejmani: Unë kam parë këtu shumë shokë e miq të mi, të cilët i njoh prej vitesh, që nga viti 1981 kur jemi angazhuar në çështjen kombëtare. Kam parë njerëz nga të gjitha viset dhe nuk besoj se është ashtu, por ne nuk e dimë se kush e bën përzgjedhjen e tyre dhe si e bën. Ndoshta dikush meriton shumë më tepër sesa ata që janë përzgjedhur, por unë kam parë miq nga gjithë Evropa që nuk janë të zgjedhur politikisht. Megjithatë, ndoshta edhe ka të tillë, nuk mund ta them me siguri. Megjithëse vij nga Maqedonia e Veriut, unë jam i lindur dhe jetoj në Kroaci. Babai im ka qenë shqiptari i parë në qytetin e Poreçit në Kroaci pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947. Lidhur me Maqedoninë e Veriut, mendoj se po bëhet një padrejtësi nga qeveria atje, sidomos për gjuhën shqipe. U bëj thirrje të gjitha partive politike në Maqedoni që të bashkohen. Është momenti t’u tregojmë maqedonasve se ne jemi një trup dhe kemi një interes të përbashkët. Kjo ishte dëshira ime për ta thënë për Maqedoninë e Veriut.




