Sali Berisha rrëfehet sonte në “Quo Vadis”

Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të jetë i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Quo Vadis” me Pranvera Borakajn, në “Vizion Plus”. Ish-kryeministri do të rrëfehet 360 gradë për çështjet më të nxehta të politikës.
Berisha do të komentojë situatën aktuale politike, ku nuk mungojnë sulmet e kundërsulmet, si edhe do të zbulojë ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit. Polemikat mes kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha për rolin e PD për raportin e Dickt Martyt do të jetë një tjetër temë e nxehtë që do të diskutohet ‘live’ në studio.
Po ashtu, Sali Berisha do të flasë për “miqësinë” e tij politike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si edhe do të tregojë qëndrimin e tij për figurat e UÇK që sot akuzohen për krime lufte. Ai do të rrëfehet “pa dorashka” edhe për “marrëdhëniet e ngrohta” që ka me presidentin Ilir Meta.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri do të pyetet edhe se çfarë mendon për sjelljen e Bashës me disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, përfshirë këtu Astrit Patozin e Jozefina Topallin. Të gjitha përgjigjet sonte, në orën 21.00, në “Quo Vadis” në “Vizion Plus”.




