Subscribe

Kjo e enjte ishte dita e fundit që Sajmir Tahiri u fut në Kuvend si deputet. Ish-ministri i brendshëm i akuzuar si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, dorëzoi mandatin e deputetit.

 

“Pikërisht sepse nuk jam si këta që kanë qeverisur për 25 vjet, kam marrë një vendim për ta treguar edhe një herë se unë nuk jam raca e atyre që rrinë në Parlament për Pazar apo për shpëtim. Unë nga sot dorëzoj mandatin tim të deputetit. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë unë nuk do të jem deputet, por si qytetar i thjeshtë si mbi dy milionë shqiptar në këtë vend”

 

Ai tha se tashmë është një njeri i lirë, i cili do të luftojë për drejtësi.

 

 “E dua t’i drejtohem edhe kolegëve të mi në grupin parlamentar, të cilët më së pari i falenderoj për durimin dhe mirëkuptimin nga një kusur që s’ma kishte askush borxh nga i pari tek i fundit. Por në qoftë se ka qoftë edhe një koleg të vetëm që me fjalë të dykuptimshme apo mërmëritje nën zë mund të drejtojë gishtin tek unë, më e pakta e ka gabim. Unë po pres drejtësinë time, ndaj pak durim duhet nga të gjithë”

 

Tahiri theksoi se në 6 muajt e fundit ishte këshilluar që për t’u vetëmbrojtur të shiste kryeministrin Rama.

 

“Njëri vinte e më sugjeronte të thoja se nuk isha unë, por ishte Edi Rama koka e trafikut të drogës, e kështu shpëtoja unë nga të gjitha. Tjetri më këshillonte të mos flisja se kjo nuk është punë pasioni dhe nervash, kjo është punë llogarish. Unë heshta, tregtarët e gënjeshtrave dhe pazarxhinjtë dolën në treg. Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje, e pushka top t’ju bëhet, unë këtu jam e do ia dal”

 

Në fjalimin e tij prej rreth 45 minuta, Tahiri nuk kurse sulmet edhe ndaj ish-kolegëve të tij socialist, por edhe ministrit aktual të Brendshëm Xhafaj.

 

“Mbeta unë që të dëgjoj avazin e Saliut dhe Lulit me akuza dhe me të njëjta dhe me të njëjtat akuza pa marrë ende detyrën. Edi Rama në fillim të Parlamentit i falenderoi për kontributin opozitar, ndërsa pasardhësi im në detyrë me akuzat për policinë e kriminalizuar ia kaloi dhe Saliut dhe Lulit. Por këta që më akuzojnë mua sot, nga dolën kaq të dhembshur për fushat që medemek lëngonin të mbjella me hashash. Lazaratin nuk e kishin atyre prej 20 e kusur vjet plot e për plot? Krujën nuk e kishin atje? Shkodrën, Malësinë e Madhe? Dibrën, Tropojën, Tepelenën, Gjirokastrën, Beratin, edhe Tiranën nuk i kishin aty të mbjella me hashash prej më shumë se 15 vjetësh? Dhe ishin aty edhe ditën kur mora unë detyrën dhe tani u thonë njerëzve dhe botës se i bëra unë”

 

Akuzoi gjithë klasën politike të 25 viteve të fundit. Por i ashpër ishte me krerët e partive opozitare.

 

“Klouni më qesharak i politikë shqiptare që s’u lodh duke vjedhur se s’u gjykua kurrë. Ministri i Brendshëm vrau katër njerëz në bulevard bashkë me Saliun, as u hetua, as u gjykua. Më akuzon Sali Berisha, dhe e gjithë lukunia që e ka bërë gojën çorape me shpifje ndaj meje, ndërkohë që vetë kanë qenë dhe janë akoma pas murit të pandëshkueshmërisë, të pahetuar, të pagjykuar për vrasje, për vjedhje, për plaçkitje. Më akuzon Monika dhe Iliri, që Zoti e di se nga do t’i kapësh nuk ka ujë të shenjtë që mund t’ia heqi njollën që kanë”

 

 Me dorëheqjen nga mandati i deputetit, tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rrugën e hapur për arrestimin e mundshëm të ish-deputetit Tahiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *