Subscribe

Marrëveshja e shumë debatuar e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk do të procedohet për ratifikim në kuvend, nëse nuk sigurohen votat e nevojshme për miratimin e saj. Këtë e deklaroi kryeministri Isa Mustafa, ndërsa mori pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e një rruge në Kosovë.

 

 “Jemi duke biseduar me partnerët e koalicionit qeverisës dhe në momentin që sigurohemi se i kemi votat, do ta procedojnë në Kuvend për ratifikim marrëveshjen për demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi. Edhe në Bruksel i është bërë e qartë se ka mbetur vetëm ky kriter pa u plotësuar, në mënyrë që të ndodh liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës”.

 

Opozita, por edhe deputetë brenda koalicionit qeverisës janë shprehur kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit, me pretendimin se Kosova humbet 8 mijë hektarë tokë të territorit të saj.

 

Por ndërkombëtarët kanë këmbëngulur në ratifikimin e saj dhe javën e ardhshme Kosovën do ta vizitojë sërish zv/ndihmës sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Hoyt Brian Yee, që pritet të përsërisë kërkesën për kalimin e saj në kuvend.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *