Nisma e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për rishikimin e praktikës gjyqësore mbi masat e paraburgimit, ka nxitur debat mes juristëve dhe reagime të ndryshme në opinionin publik. Gjatë një leksioni me studentet e drejtësisë në Shkodër, Sadushi sqaroi se synohet përditësimi i vendimeve unifikuese të vitit 2011, në përputhje me ndryshimet ligjore dhe standardet ndërkombëtare.
Ai hodhi poshtë pretendimet se favorizohen zyrtarët e lartë tashmë të arrestuar dhe shtoi nuk dëmtohet lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar.
Sadushi solli në vëmendje edhe problematikën e mbipopullimit të burgjeve në Shqipëri, ku rreth 58% e të burgosurve janë në paraburgim, një nga nivelet më të larta në Evropë.
Besimi në drejtësi mbetet i ulët theksoi Sadushi, duke shtuar se vakancat në sistem kanë krijuar probleme, ku vonesat në dhënien e vendimeve janë një prej shqetësimeve kryesore.
Ai foli për presione të drejtpërdrejta nga politika, media dhe vetë opinionin publik.





