Subscribe

Në orët  e fundit të këtij viti, kilogrami i gjelit të detit po kushton deri në 500 lekë më lirë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Në tregun e Baldushkut, fermerët po e shesin gjelin e detit deri në 1.300 lekë/kg, nga 1.800 lekë/kg që arriti fundvitin e shkuar.

Sipas fermerëve, kjo ndodh sepse kërkesa nuk është e njëjtë me atë të dhjetorit të kaluar.

“S’ka treg, janë futur shumë pula të tjera. Dy ditë kemi këtu ne, nuk kemi shitur fare. Vjet i shita, pata 40 krerë. Vjet vajti 15 mijë lekë, 18 mijë, sivjet nuk ka treg fare. Unë kam 50 krerë, kam shitur 15. Është dobët këtë vit, i kemi shitur me 12, 10, 13”, thotë një fermer.

“Dobët fare, nuk ka klientë fare. I fundit vit ky që dal në treg, nuk ka qenë tregu kështu. Kam pas më pak vjet, 50 krerë. I shtuam se gjasme do të ecë, por në fakt u bë gropa”, shprehen ata.

“Është shumë larg, tregu është në mes të pazarit atje. Është tallje, mezi i kemi rritur. Ku ta gjej misrin ta blej unë. I kam të gjithë pa shitur, kam 100 krerë, çmimi 10 mijë lekë nuk e marrin, marrin ato të pularisë në rrugë. Ku t’i çoj pas vitit të ri, nuk shitet më”, thonë fermerët.

Ndryshe nga gjeli i detit, 1 kg bakllava me arra këtë vit po kushton afro 100 lekë më shtrenjtë.

Marjo Nela nga një pastiçeri në Tiranë shpjegon se ky shtrenjtim vjen për shkak të kostove të shtuara.

“Nëse do të nxjerrësh një produkt cilësor që tregu e përqafon, duhet të vësh lëndë të parë cilësore, lënda e parë që zë më shumë peshë te bakllavaja është arra dhe gjalpi, ne përpiqemi të kemi produkte sa më cilësore. 1 kg bakllava ka kosto 7-8 mijë lekë të vjetër, ndërsa ne dyqan klienti e marr 10 mijë lekë kg. Çmimi i arrave dhe gjalpit është rritur, është rritur me 10-15%. Për pasojë është rritur edhe çmimi i bakllavasë. Është 1 mijë lekë/kg më shtrenjtë sesa kushtonte vjet apo parvjet”, thotë Nela.

Nëse bëhet fjalë për bakllava me stika, konsumatorët do të duhet të paguajnë ndjeshëm më shumë.

“Një kg arra kushton 12 mijë lekë, ndërsa një kg pistachio bën 30 mijë lekë.  Normalisht edhe çmimi përfundimtar do të jetë më i lartë i bakllavsë me stika, 27 mijë lekë është kg i bakllavsë me stika”, shprehet ai.

Veç gjelit të detit dhe bakllavasë, në tryezat e shqiptarëve nuk mungojnë as mishi i viçit apo i qingjit, çmimet e të cilëve janë thuajse në të njëjtat nivele me ato të një viti më parë. E njëjta gjë vlen edhe për frutat, me përjashtim të mollëve, të cilat këtë dhjetor shiten më shtrenjtë se një vit më parë për shkak të dëmtimit të prodhimit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *