Gjermania ka pranuar detajet e përfshira në një audio regjistrim të publikuar në mediat ruse të një takimi ushtarak për dërgimin e municioneve dhe planet e luftës për Ukrainën. Rusia e quajti Gjermaninë rivale “të vjetër”, që është bërë sërish një armike “e përbetuar” dhe sot thirri ambasadorin e saj në Moskë, për të diskutuar audio regjistrimin e një takimi të zyrtarëve të lartë të ushtrisë gjermane, në të cilin u diskutuan planet për të ndihmuar Ukrainën.

Ministria e jashtme e Rusisë thirri sot ambasadorin gjerman Alexander Graf Lambsdorf pasi mediat ruse publikuan një audio regjistrim të një takimi të zyrtarëve të lartë të ushtrisë gjermane.

Në audio regjistrimin e publikuar të shtunën dëgjohen oficerë të ushtrisë gjermane duke diskutuar mbi dërgimin e armëve në Ukrainë dhe mundësinë e një sulmi nga Kievi ndaj një ure në Krime, duke bërë që zyrtarët rusë të kërkonin shpjegime.

Ukraina është mbështetur në ndihmën e fuqive perëndimore në luftën e saj me Rusinë dhe vazhdimisht ka bërë thirrje për armë me rreze të gjatë veprimi për të goditur nga distanca pozicionet e forcave ruse.

Kështu që kur dolën njoftimet javën e kaluar se Gjermania po shqyrtonte planet për të furnizuar Ukrainën me raketat me vetëdrejtim, “Taurus”, të cilat kanë një rreze veprimi dy herë më të gjatë se sa raketat që Britania dhe Franca tashmë i kanë dhënë Ukrainës, zyrtarët rusë menjëherë fajësuan perëndimin për vazhdimin e luftës së saj në Ukrainë.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se “kampi i fortë i luftës” në Evropë është i vendosur “t’i shkaktojë një humbje strategjike Rusisë në fushën e betejës”. Ai gjithashtu kritikoi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

Njoftimet për dërgimin e raketave “Taurus” duket se ishin rezultat i publikimit të audio regjistrimit të një lidhjeje me video, në të cilën oficerët gjermanë po diskutonin mbi furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake dhe objektiva të mundshme, si urën që lidh Rusinë me Krimenë, të cilën Moska e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha të dielën se Rusia po bënte një luftë informacioni që synon të nxisë përçarje në Gjermani.

“Incidenti është shumë më tepër se regjistrim dhe publikim i një bisede. Ai është pjesë e një lufte informacioni që po bën Putini. Është një sulm dezinformimi, i cili synon të dëmtojë unitetin tonë. Për rrjedhojë, duhet të reagojmë ndaj tij me kujdes të veçantë, por jo me më pak vendosmëri”, tha ministri Pistorius.

Gjatë një vizite në Vatikan, kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti publikimin e audio regjistrimit “një çështje shumë serioze” , që “do të hetohet me kujdes, intensitet të lartë dhe shumë shpejt”.

Ndërkohë, Kremlini vazhdon të vendosë në shënjestër objektiva civile si shkollat dhe banesat në sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, duke shkatërruar lagje të tëra.

Sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës tashmë ka hyrë në vitin e tij të tretë, ndërsa javën e kaluar u mbajt funerali për një nga figurat më të shquara të opozitës ruse, që ka kritikuar ashpër qeverinë e Presidentit Vladimir Putin. Mijëra njerëz javën e kaluar i dhanë lamtumirën Aleksei Navalnit, i cili vdiq në mënyrë misterioze në një burg pranë Arktikut.

Mediat e pavarura ruse dhe grupi i të drejtave të njeriut “OVD-Info” njoftuan për 70 të arrestuar në mbarë vendin pavarësisht mbizotërimit të një qetësie relative në Moskë./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *