Autoritetet ruse komentuan me indiferencë të mërkurën për tubimet masive ndaj burgimit të kundërshtarit numër një të Kremlinit Alexei Navalny-t dhe i hodhën poshtë kritikat perëndimore, duke i quajtur “histerike”.

 

Ndërkohë, aktivistët njoftuan për më shumë se 1’400 arrestime të reja gjatë shtypjes së protestuesve.

 

Një gjykatë e Moskës urdhëroi të martën burgimin e Navalnit me dy vjet e tetë muaj, pasi arriti në përfundimin se ai shkeli dënimin me kusht ndërsa ishte në Gjermani për t’u kuruar nga helmimi me agjent nervor. Vendimi ndezi menjëherë protesta të reja në Moskë dhe Shën Pjetërburg, të cilat pasuan tubimet masive gjatë dy fundjavave të fundit.

 

Duke folur në gjykatë, Navalny i denoncoi akuzat ndaj tij si të trilluara dhe të nxitura nga “frika dhe urrejtja” e Presidentit Vladimir Putin, duke thënë se udhëheqësi rus do të hyjë në histori si një “helmues”.

 

I pyetur për fjalimin e Navalnit, i cili u shpërnda gjerësisht në platformat ruse të mediave sociale, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj se nuk i takon atij të përcaktojë vendin e Putinit në histori. Ashtu si Presidenti Putin, zoti Peskov e shmangi përmendjen e Navalnit me emër.

 

Navalni, një aktivist 44-vjeçar i anti-korrupsionit, i cili është kundërshtari më i vendosur politik i Putinit, u arrestua më 17 janar kur u kthye nga shërimi pesë-mujor në Gjermani pas një helmimi për të cilin ai i ka hedhur fajin Kremlinit. Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje dhe pretendojnë se nuk kanë asnjë provë që ai u helmua, pavarësisht provave të disa laboratorëve evropianë.

 

Ndërsa lexohej vendimi i gjykatës, Navalny buzëqeshi në drejtim të gruas së tij Julia, e cila ndodhej në seancë, dhe vizatoi një zemër në xhamin e kafazit ku po mbahej. “Gjithçka do të bëhet mirë”, i tha ai, kur po largohej nga rojet.

 

Ajo falënderoi mbështetësit në Instagram, duke thënë: “Ka kaq shumë njerëz të mirë, të fortë dhe të ndershëm që mbështesin Aleksein dhe mua saqë nuk ka asnjë mënyrë për t’u tërhequr dhe nuk ka asgjë për t’u frikësuar”.

 

“Ne gjithsesi do të fitojmë”, tha ajo.

 

Dënimi me burg për Navalnin dhe reagimi i ashpër i policisë ruse ndaj protestave paqësore u bë shkak për kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

 

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i kërkoi Moskës që të lirojë menjëherë Navalnin dhe ata që u arrestuan gjatë protestave.

 

“Ndërsa punojmë me Rusinë për të avancuar interesat e Shteteve të Bashkuara, ne do të koordinohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për dështim në respektimin e të drejtave të qytetarëve të saj”, tha ai.

 

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti dënimin e Navalnit “të papranueshëm” dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

 

“Një mosmarrëveshje politike nuk është kurrë krim”. “Respektimi i të drejtave të njeriut, si ai i lirive demokratike, nuk mund të negociohet,” tha zoti Macron.

 

Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert përsëriti thirrjen e udhëheqëses gjermane për lirimin e menjëhershëm të Navalnit dhe dhënien fund të shtypjes së policisë kundër protestuesve anti-qeveritarë.

 

Zoti Seibert u tha gazetarëve se vendimi i gjykatës së Moskës “ishte larg parimeve të sundimit të ligjit”, duke vënë në dukje se vendimi bazohej në dënimin e mëparshëm të Navalnit, të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e kishte konsideruar “arbitrar” dhe shkelje të të drejtave të Navalnit për një gjykim të drejtë.

 

“Qeveria gjermane dënon këtë përdorim sistematik të dhunës ndaj protestuesve paqësorë”, tha ai.

 

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov hodhi poshtë të mërkurën kërkesat perëndimore si “arrogante dhe të pahijshme”, duke thënë se Moska nuk do të preket nga “histerizmi” perëndimor. Ai e mbrojti reagimin e policisë ruse ndaj protestave si shumë më të butë sesa disa veprime policore kundër demonstruesve në vendet perëndimore. Ministri Lavrov tha se ai do t’i paraqesë shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell videot përkatëse për t’ia provuar këtë, kur ky të vizitojë Moskën këtë javë.

 

Më shumë se 1’400 njerëz u arrestuan të martën vonë dhe brenda natës, duke përfshirë 1’170 në Moskë dhe më shumë se 250 në Shën Pjetërburg, kur demonstruesit dolën në rrugë për të protestuar ndaj urdhrit të gjykatës për burgimin e Navalnit, sipas grupit të pavarur OVD-INFO që dokumenton arrestimet.

 

Policia rrahu me egërsi shumë protestues paqësorë dhe përdori pajisjet me elektroshok kundër disave, në një demonstrim force që me sa duket synonte të frikësonte opozitën.

 

I pyetur në lidhje me dhunën policore, zëdhënësi Peskov u tha gazetarëve se protestat pa leje kërkojnë veprimin e ashpër të policisë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *