Rusia tha se të paktën 13 persona, përfshirë një fëmijë, u vranë në sulmet ukrainase ndaj objektivave në rajonin qendror të Tatarstanit, në një nga sulmet më vdekjeprurëse të Kievit që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini, më shumë se katër vjet më parë.
Ushtria ukrainase konfirmoi sulmin më 10 gusht, duke thënë se rafineria e naftës Taneco në Nizhnekamsk – ku u raportua për një zjarr – ishte një nga objektivat e goditur.
“Deri tani dihet se 13 persona kanë humbur jetën, përfshirë një fëmijë”, thanë autoritetet rajonale më 10 gusht për sulmin në qytetin e Nizhnekamskut.
Republika e pasur me naftë e Tatarstanit në Rusi ndodhet rreth 1.200 kilometra nga kufiri me Ukrainën, gjë që tregon për fushatën e Ukrainës për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus.
Videot e shpërndara nga kanalet monitoruese në Telegram tregonin një re të madhe tymi të zi që ngrihej nga ai që u përshkrua si një objekt nafte.
Një analizë nga kanali ASTRA në Telegram sugjeroi se Nizhnekamskneftekhim PJSC, një nga kompanitë më të mëdha petrokimike në Evropë, ishte me gjasë objektivi i sulmit në Nizhnekamsk.
Kompleksi petrokimik është pjesë e SIBUR, një nga kompanitë më të mëdha të Rusisë, dhe prodhon gomë, plastikë dhe etilen.
Ndërkohë, autoritetet në rajonin ukrainas të Sumit thanë se 14 persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën në një sulm rus me bomba të drejtuara ndaj qytetit të Sumit, pranë kufirit me Rusinë, gjatë natës.
Dronë ukrainas sulmuan gjithashtu rajonin e Belgorodit, pranë kufirit me Ukrainën, gjatë 24 orëve të fundit, duke vrarë të paktën katër persona dhe plagosur disa të tjerë, sipas zyrtarëve rusë.
Guvernatori i rajonit të Rostovit, Yury Slyusar, tha se më shumë se 70 dronë u rrëzuan mbi rajon gjatë natës, ndërsa kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, raportoi se 13 dronë u kapën teksa i afroheshin kryeqytetit.
Dronë u shkatërruan gjithashtu mbi Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia, përfshirë në Sevastopol, sipas autoriteteve të vendosura nga Moska.
Forcat ruse sulmuan me një raketë Kh-59/69 të lëshuar nga ajri dhe 126 dronë sulmues nga hapësira ajrore mbi Detin e Zi, tha Forca Ajrore e Ukrainës më 10 gusht.
Në Moldavinë fqinje, një shpërthim ndodhi në distriktin Stefan Voda, rreth 80 kilometra në juglindje të Kishinauit, më 9 gusht. Punonjësit e rendit në vendngjarje gjetën fragmente të një droni luftarak.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, dënoi ashpër atë që e përshkroi si shkeljen e fundit të hapësirës ajrore të Moldavisë nga Rusia.
“Ky është një pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së Rusisë dhe na vë të gjithëve në rrezik. Rreziku për jetën e njerëzve në rajonin tonë është real dhe në rritje. Kjo duhet të ndalet”, shkroi ajo në X më 10 gusht.
Ministria e Jashtme e Moldavisë më vonë njoftoi se kishte thirrur ambasadorin e saj në Moskë për konsultime pas incidentit me dronin.
Me rritjen e numrit të viktimave civile, papa Leoni bëri thirrje për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke thënë se njerëz të pafajshëm po vriten dhe plagosen.
“Incidentet tragjike po shtohen, duke shkaktuar një numër gjithnjë e më të madh viktimash civile, përfshirë fëmijë”, tha papa përpara besimtarëve të mbledhur për lutjen e së dielës në Vatikan, më 9 gusht.
“Ripohoj apelin tim të përzemërt që të respektohet e drejta ndërkombëtare humanitare dhe që sulmet ndaj objektivave civile të ndalen nga të dyja palët”, shtoi ai./rel





