“Çlirimi” i Donbasit mbetet prioritet i pakushtëzuar për Moskën. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë për mediat franceze, ndërsa sqaroi se rajonet e tjera ukrainase duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre.

 

 

SERGEI LAVROV

MINISTER I JASHTE I RUSISE

 

“Çlirimi i rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura nga Federata Ruse si shtete të pavarura, është një prioritet i pakushtëzuar. Ky nuk është aneksim. Ky është një operacion ushtarak i kërkuar nga republikat lindore. Ndërsa për sa i përket qyteteve të tjera unë nuk besoj se ata do të jenë të lumtur të jenë në autoritetin e një regjimi neo-nazist që ka provuar se është rusofob në thelb. Këta njerëz duhet të vendosin vetë.”

 

Duke u ndalur te avancimi i ngadalë i “operacionit special”, Lavrov sqaroi se kjo ndodh për shkak se forcat ruse kanë marrë urdhër mos të godasin infrastrukturën civile.

 

Ndërkohë, bombardimet në lindje të Ukrainës janë të vazhdueshme, duke shkaktuar edhe mungesën e energjisë elektrike. Ndërprerja e furnizimit ka shkaktuar bllokimin e 115 minatorëve nëntokë. Lajmin e bëri të ditur guvernatori i Donjeckut, teksa nënvizoi se procesi i shpëtimin është shumë i vështirë si pasojë e luftimeve.

 

Nga ana tjetër, liderët e Bashkimit Evropian do të takohen sot për të arritur një marrëveshje për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve në importet e naftës ruse. Por ajo që mbetët shqetësuese është bllokimi i eksporteve të grurit. Mediat ruse bëjnë të ditur se drithërat që janë aktualisht në Kherson, qytet në Ukrainë i kontrolluar nga rusët, do të dërgohen në Rusi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *