Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me kërkesë të Rusisë, do të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar paralajmërimet për sulme të mundshme ajrore në Siri nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Një ditë më parë, presidenti Donald Trump deklaroi se “kurrë nuk e kishte thënë se kur do të ndodhë sulmi në Siri. Mund të ndodhë shumë shpejt ose jo shumë shpejt”. Menjëherë ka reaguar ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, i cili ka bërë thirrje që të ulen tensionet.

 

 “Prioriteti i menjëhershëm është që të shmanget rreziku i luftës. Pas mesazheve që kemi marrë nga Uashingtoni këtë javë, ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e sulmeve ajrore të Perëndimit, që mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë. Rreziku i përshkallëzimit është më i lartë se sa përshkallëzimi në Siri, sepse ushtritë tona janë aty… Prandaj, situata është shumë e rrezikshme”.

 

 Ambasadori rus akuzoi Uashingtonin se po vendos në rrezik paqen ndërkombëtare dhe i bëri thirrje të gjithë aleatëve që të parandalojnë veprimet ushtarake.

 

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po punojnë për formimin e një koalicioni ndërkombëtar për të reaguar ndaj sulmit në Douma.

 

Kryeministrja britanike Theresa May ka lënë të kuptohet se vendi i saj është i gatshëm të marrë pjesë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj Sirisë. Ajo thirri kabinetin të enjten për një takim urgjent për të diskutuar çështjen. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka premtuar një përgjigje të fortë ndaj Sirisë, tha se ka prova se qeveria e Assadit është përgjegjëse për sulmin me armë kimike. Nga ana tjetër, kancelaria gjermane Angela Merkel tha se vendi i saj nuk do të marrë pjesë në ndonjë veprim të mundshëm ushtarak ndaj Sirisë.

 

Ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të fillojnë sot hetimet në Siri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *