Sulmi vdekjeprurës i ushtrisë ukrainase mbi kazermën ruse në Makejev ka bërë që në Rusi të shpërthenin pakënaqësitë dhe zemërimi kundër komandës ushtarake ruse.
Moska pa humbur kohë ndryshoi numrin e viktimave duke e rritur atë nga 63 në 89 dhe duke drejtuar gishtin nga ushtarët si fajtorët kryesorë të sulmit.
Në një deklaratë të bërë nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se përdorimi masiv i celularëve nga ushtarët u tregoi ukrainasve vendndodhjen e saktë të tyre e cila u pasua me sulmin.
“Tashmë është e qartë se arsyeja kryesore për atë që ndodhi ishte përdorimi masiv i telefonave celularë nga personeli, brenda rrezes së armëve të armikut, gjë që i lejoi forcat ukrainase të gjurmonin koordinatat e tyre”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas tyre objekti u shënjestrua nga gjashte raketa, furnizim i SHBA, katër prej të cilave shmangen mbrojtjen ajrore dhe goditën ndërtesën mëngjesin e 1 janarit.
Ushtria ukrainase thekson se numri i viktimave varjon nga 400 ne 600. Ndërsa në Moskë qytetarë të zakonshëm kanë mbajtur homazhe në nder të ushtarëve të rënë, të cilët sipas reporterëve rusë të luftës theksohet se ishin rezervistë të grumbulluar së fundmi.
Moska përsëriti zotimin për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për familjet e të rënëve.
Ministria e Jashtme më herët akuzoi Uashingtonin për furnizimin jo vetëm me armë të sofistikuara për Kievin, por edhe për dhënien ushtrisë ukrainase te informacioneve për vendndodhjen e forcave ruse. Në shenjë hakmarrjeje Rusia nisi ditën e parë të 2023 me një sulm të gjerë me drone mbi Ukrainën.