Rusia njoftoi të premten se do të kufizojë pjesërisht qasjen tek platforma e medias sociale Facebook, e kompanisë Meta Platforms Inc, duke e akuzuar atë për çensurim të mediave ruse.

 

Ky është vetëm hapi i fundit që Rusia ndërmerr ndaj kompanive amerikane të mediave sociale.Moska është përpjekur prej vitesh të ushtrojë kontroll më të fortë ndaj internetit dhe kompanive të mëdha të teknologjisë. Kritikët thonë se kjo vë në rrezik liritë e individëve dhe korporatave, dhe se është pjesë e një fushate më të gjerë për shtypjen e fjalës së lirë të kundërshtarëve të Kremlinit.

 

Enti shtetëror rregullator për komunikimet tha se kompania Facebook kishte injoruar kërkesat për të hequr kufizimet ndaj katër mediave ruse në plaftormën e saj: agjensisë së lajmeve RIA, kanalin e Ministrisë së Mbrojtjes Zvezda TV dhe faqet e internetit gazeta.ru dhe lenta.ru .

 

Nuk është e qartë se çfarë kufizimesh do të vendosë konkretisht Rusia ndaj Facebook-ut. Vitin e kaluar Moska ngadalësoi shpejtësinë e internetit për platformën Twitter TWTR.N, si formë ndëshkimi.

 

“Në përputhje me vendimin e Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, duke filluar nga 25 shkurti, kufizime të pjesshme po zbatohen nga Roskomnadzor ndaj rrjetit social Facebook”, u shpreh në një deklaratë agjensia rregullatore Roskomnadzor.

 

Kompania Facebook, e cila nuk bëri menjëherë komente, ka irrituar në të kaluarën autoritetet e Rusisë. Moska i ka vendosur rregullisht gjoba të vogla kompanisë, për raste që i ka përshkruar si mosveprim me shpejtësinë e duhur për të hequr materiale të paligjshme.

 

Në dhjetor, Rusia i vendosi një gjobë shumë më të madhe prej 24.7 milionë dollarësh, për mosheqje të përsëritur të materialeve.Moska ka shtuar presionin edhe ndaj mediave vendase, duke i kërcënuar se do të bllokojë njoftime që i përshkruan si “informim fals” për operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, ku raketat ruse janë duke goditur kryeqytetin Kiev dhe  banorët janë fshehur nëpër strehime të nëndheshme./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *