Raketa ruse ranë në kryeqytetin ukrainas – një predhë goditi një ndërtesë nëntëkatëshe apartamentesh. Kryebashkiaku Kliçko raportoi dy të plagosur dhe disa njerëz nën rrënoja.

 

Ushtria ruse ka goditur me raketa kryeqytetin ukrainas, Kiev. U raportuan disa shpërthime. Një predhë goditi një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe, shkroi në Telegram Anton Herashçenko, këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas. Sipas mbrojtjes civile, të paktën një person ka mbetur i plagosur në ndërtesë. Operacionet e ndihmës vazhdojnë.

 

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko tha se dy persona u plagosën dhe njerëzit ishin ende të bllokuar nën rrënoja. “Disa shpërthime në lagjen Shevchenkivsky,” shkroi Kliçko në Telegram. “Ambulanca dhe ndihma e parë ndodhen në vendngjarje. Në dy pallate po kryhet shpëtimi dhe evakuimi i banorëve”.

 

Deputeti ukrainas Olexiy Hontçarenko shkroi se trupat ruse hodhën 14 raketa në Kiev dhe rrethinat e tij gjatë mëngjesit. Herët në mëngjes në Kiev qe dëgjuar alarm ajror.

 

Kievi ka qenë rrallë shënjestër e sulmeve në javët e fundit. Hera e fundit që qyteti u godit ishte në fillim të qershorit.

 

Në situatën aktuale, informacionet për rrjedhën e luftës, të shtënat dhe viktimat, e ofruara nga burimet zyrtare të palëve ruse dhe ukrainase në konflikt nuk mund të verifikohen drejtpërdrejt nga një organ i pavarur.

 

Sulme me raketa në disa qytete

 

Është e mundur që Rusia, pas sukseseve në lindje të vendit, të intensifikojë përsëri sulmet e saj ndaj qyteteve që ndodhen larg frontit. Të paktën tre persona u vranë në një sulm me raketa në qytetin Sarny në Ukrainën perëndimore dje, thanë autoritetet. Sipas agjencisë ukrainase të lajmeve Unian, u sulmuan gjithashtu rajonet Khmelnytsky, Lviv, Mykolaiv, Chytomyr dhe Chernihiv.

Sipas ushtrisë ukrainase, disa nga raketat janë lëshuar nga bombarduesit me rreze të gjatë Tu-22, të cilët thuhet se janë nisur për herë të parë nga Bjellorusia.

 

Zelenski kërkon mbrojtje moderne ajrore

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski beson se Ukraina është në një fazë të vështirë të luftës. “Nuk e kemi idenë se sa kohë do të zgjasë, sa goditje, humbje dhe përpjekje do të duhen para se të shohim fitoren në horizont”, tha ai në një video-mesazh. Sulmet raketore konfirmojnë se sanksionet kundër Rusisë nuk ishin të mjaftueshme për të ndihmuar Ukrainën. Ai bëri thirrje edhe një herë për ofrimin e sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore nga vendet e NATO-s. Këto armë nuk duhet të “ruhen në magazina”.

 

Ukraina blen më shumë armë antitank nga Gjermania

 

Ndërkohë, Ukraina me sa duket ka marrë më shumë armë nga Gjermania. Qeveria e Kievit thuhet se ka blerë rreth 2900 armë portative antitank të tipit RGW 90 nga grupi i armëve Dynamit Nobel Defense (DND), raporton gazeta “Welt am Sonntag”. Armët mendohet se janë dorëzuar. Dorëzimi i armëve kërkon autorizim nga qeveria gjermane. Kur u pyet, Ministria Federale e Ekonomisë nuk deshi të komentojë këtë informacion, tha gazeta./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published.