Kremlini njoftoi sot se do të ndjekë me vëmendjen të shtuar zhvillimet në samitin e NATO-s që fillon sot në Uashington.

Rusia theksoi se kjo vëmendje e shtuar vjen pasi Aleanca e konsideron Rusinë armike të saj, ndaj dëshiron të ketë të qartë retorikën që do të ndiqet.

“Kjo është një aleancë që e konsideron Rusinë armikun e saj, rivalin e saj. Një aleancë e cila, herë pas here, ka deklaruar hapur se qëllimi i saj është t’i japë Rusisë një disfatë strategjike në fushën e betejës. Për këtë arsye, ne do të monitorojmë me vëmendje retorikën e bisedimeve që do të zhvillohen dhe vendimet që do të merren”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, i cili është zgjeruar me shtimin e Finlandës dhe Suedisë në 32 anëtarë, po takohen sot në Uashington për një samit që synon të riafirmojë mbështetjen e tyre për Ukrainën.

Vendet e NATO-s kanë ofruar ndihmë jetike ushtarake për Kievin që nga fillimi i luftës, pas pushtimit rus në shkurt 2022, pavarësisht se Ukraina ankohet se mbështetja që merr mbetet e pamjaftueshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të marrë pjesë në samit, pritet të kërkojë sërish nga aleatët e tij perëndimorë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *